Në episodin e nëntë, njëkohësisht episodin më drithërues deri tani të serialit vendor “Rrushe”, ndodhën shumë të papritura. Në këtë artikull mund t’i gjeni pikat kryesore që u panë në episodin e nëntë të “Rrushe”.
Episodi i nëntë i “Rrushe” u shfaq këtë të diel, ndërsa shumë prej shikuesve u emocionuan nga përfundimi i episodit, ku nuk munguan befasitë dhe ndodhitë e mëdha. Episodi filloi qetë dhe me shumë lumturi. Vesa dhe Berati i blejnë Dinorës dhuratë për ditëlindje, e më pas shkojnë në festën e ditëlindjes. Kjo festë përfundon bukur për Vesën dhe Beratin, të cilët zgjohen në krah të njeri tjetrit. Ndërsa për Dinorën, kjo natë ishte edhe një fasadë tjetër, prapa së cilës fshihet një mister i madh.
Në anën tjetër, Armendi dhe Arsimi bisedojnë rreth asaj se çfarë ndodhi disa episode më parë. Kjo skenë na paraqet Armendin të dorëzuar nga jeta, kur i tregon Arsimit se sa vështirë e ka të shtiret se është në rregull.
Dita e nesërme për Vesën bëhet interesante, kur ajo shkon në Gjakovë për të hulumtuar rreth Zekë Jahës, liderit të Lëvizjes Qëndresa, në atë që duket si 25 vjetori i vdekjes së tij. Këtu Vesa takohet me Trim Jahën, nipin e Zekë Jahës, të cilin e shohim si të ri në vitet e 90-ta. Kur Trim Jaha e kupton se Vesa është mbesa e Faruk Pirullit, aty fillon të shpaloset ngjarja e natës së fundit të Lëvizjes Qëndresa. Të tradhëtuar nga dikush brenda grupit, Lëvizja Qëndresa bjen pre e forcave serbe. Me ardhjen e armikut, Zekë Jaha urdhëron burrat të largohen drejt kanalit, ndërsa vet refuzon të dorëzohet.
Në një skenë të bukur dhe të dhimbshme shohim Zekë Jahën, të rënë dëshmor heroikisht.
Episodi i dhjetë i Rrushe rikthehet të dielën, nga ora 20:00 në kanalin T7, dhe nga ora 21:00 në GjirafaVideo.
Shikoni episodin e nëntë të Rrushe më poshtë.