Site icon Telegrafi

Çka ndodhi kur policia serbe ia mori aparatin fotografik Eliza Hoxhës gjatë protestës së grave në vitin 1998?

Eliza Hoxha, deputete e Kuvendit të Kosovës, rrëfen se si gjatë kohës që ishte duke fotografuar protestën e grave në vitin 1998 në Prishtinë, një polic civil, ia kishte marrë aparatin fotografi dhe e kishte dërguar në stacionin policor.

“Kjo fotografi është pas maskarës së Qirezit dhe Likoshanit. Janë gra të cilat kanë ardh në Prishtinë, si lum, si shenjë solidarizimi, këto gra më pas në fund të protestës i kanë lënë qirinjtë si varg dhe një pjesë e tyre kanë vazhdu protestën tek Zyra Informative Amerikane, që ka qenë në atë kohë në Arbëri. Pikërisht në këtë protestë kur kam qenë duke fotografu qirinjtë në tokë një civil ma ka marrë aparatin prej dore, nuk e kam ditë që është polic. Dhe unë kam vrapu pas tij, pa e ditë kush është por me idenë që me ma kthy aparatin. Ai personi ka hy direkt në Polici, në Stacionin Qendër që është sot, edhe unë pa mendu kam vazhdu pas tij, dhe kam hy në ‘gojë të ujkut’. Ai hyn brenda dhe zhduket diku ndërsa mu me ndalin. Më pas unë kam insistu me ma kthy aparatin ose me më tregu që pse me e marrë një polic civil atë. Kemi debatu na kanë fut me një zyre që kemi prit një orë por e kanë kthy më pas”, tha Hoxha për “KallxoPernime”.

Hoxha në #KallxoPërnime ka treguar se si kishte nisur punën si fotografe në vitet ‘90-ta.

“Ka rastisur me pas një aparat afër dhe me regjistru gjëra të cilat në atë kohë më kanë interesuar vetëm mua. Ka rastisur që ato fotografi me i pa edhe Hazir Reka. Qysh kam nis ka qenë krejt rastësisht. Kur është vra, Armend Daci, i cili ka qenë student (duke u kthyer në shtëpi është vra nga një snajperist), homazhet për të janë bërë afër lagjes ku unë kam jetuar dhe me aparat i kam fotografuar këto homazhe. Këto fotografi më pas kanë përfundu në ballinën e gazetës Zëri”, ka thënë ajo.

Për Hoxhën ndër momentet më të prekura ka qenë kur ka fotografuar një bluzë me mbishkrimin “Vrapo për jetën tënde” e cila ishte gjetur në varrezat masive në Batajnicë.

“Kjo ka qenë nga varrezat masive në Batajnicë dhe kur OSBE-ja në Fushë Kosovë e pati bërë një ekspozitë të krejt gjësendeve të të gjeturve tashmë në ato varreza. Po flasim për vitin 2002… është shumë ironike me thënë të drejtën dhe nëse ka dicka që më ka prekur në krejt regjistrimin e rrobave të të gjeturve ka qenë pikërisht kjo bluzë që shkruan ‘Run for your life’ apo në shqip ‘Vrapo për jetën tënde’”, tha ajo.

Eliza Hoxha ka dhuruar disa nga fotografitë e saj për ekspozitën ‘Reporting House’. /Kallxo.com/

Exit mobile version