Telegrafi

Çka kishte thënë Hashim Thaçi për Ibrahim Rugovën më 1999 në intervistën e Zërit të Amerikës?

Në kohën kur nuk dihej se a do të nënshkruhej marrëveshja e Rambujes, ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi kishte dhënë një intervistë për Zërin e Amerikës, në të cilën kishte folur për Ibrahim Rugovën.

Intervista me Thaçin ishte realizuar më 11.05.1999 dhe kishte folur në emër të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).

Në intervistën dhënë për Zërin e Amerikës, Thaçi ishte pyetur për daljen e Rugovës jashtë Kosovës, në atë kohë si kryetar i LDK-së. Thaçi kishte kërkuar që Rugova të ishte më i përgjegjshëm me sjelljet e tij politike.

“Takimet e Rugovës me zyrtarë të Beogradit në Prishtinë e Beograd, mandej vazhdimi i kontaktit të tij me diplomat rusë, të cilët nuk kanë qëndrim të drejtë ndaj zgjidhjes së çështjes së Kosovës, na shtynë të dyshojmë në përgjegjësinë politike e kombëtare të Rugovës”, kishte thënë Thaçi.

Tutje, gazetari i Zërit të Amerikës, Elez Biberaj ka deklaruar në emisionin “Kallxo Përnime” se kishte qenë përkthyes i Sekretares së shtetit, Madeleine Albright, në Rambuje.

“Në Rambuje kam qenë përkthyes i sekretares së shtetit, Albright. Kam qenë dy herë përkthyes i sekretares Albright, njëherë në një takim që ka zhvilluar me Rugovën në Paris edhe kjo ka qenë në dhjetor të vitit 1998 edhe thelbi i takimit me Rugovën ishte që të bënin të gjitha përpjekjet për një front të bashkuar… Në Rambuje kanë qenë disa takime, takimi i parë ka qenë me delegacionin shqiptarë” – ku kishin marrë pjesë, Rexhep Qosja, Jakup Krasniqi e Idriz Ajeti, që do të takonin Albright”, ka thënë Biberaj.

Biberaj ka treguar se cilat ishin marrëdhëniet mes shqiptarëve, Thaçit e Rugovës, në atë kohë.

“Delegacioni shqiptar ishte i bashkuar, ndërkohë Rugova ishte spostuar si udhëheqësi numër një i shqiptarëve kishte dalë Hashim Thaçi edhe Rugova me dashje ose pa dashje ishte pajtuar me qëndrimin e tij”, ka deklaruar Biberaj.

Më 06.02.1999 i filloi punimet Konferenca e Rambujesë. Ky takim, i cili u mbajt në afërsi të Parisit të Francës, synoi zgjidhjen e krizës në Kosovë.

Ibrahim Rugova kishte qenë bashkëthemelues i Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe kryetar i saj që nga themelimi deri në vdekjen e tij, më 21.01.2006.

Pas luftës, në kohën kur Kosova po administrohej nga misioni i Kombeve të Bashkuara, UNMIK, Hashim Thaçi ishte kryeministër i Qeverisë së Përkohshme të Kosovës nga 1999 – 2000.

Ishte fundi i vitit 1999, ai u zgjodh kryetar i Partisë së re për Progres Demokratik, më vonë morri emrin Partia Demokratike e Kosovës,(PDK), e këtë pozitë e ka mbajtur deri mbajti 26.02.2016.

Pas fitores së Partisë Demokratike të Kosovës në zgjedhjet parlamentare të 17 nëntorit 2007, Hashim Thaçi u zgjodh Kryeministër i Qeverisë së Kosovës, duke shpallur kështu më 17.02.2008 Kosovën shtet të pavarur.

Më 26.02.2016, mes protestave dhe gazit lotsjellës Kosova kishte arritur të zgjidhte presidentin e ri të vendit, Hashim Thaçin.

Mandatin e presidentit, Thaçi nuk e çoi deri në fund për shkak të konfirmimit të aktakuzës për krime lufte dhe krime kundër njerizimit në nëntor të vitit 2020 nga Gjykata Speciale në Hagë, ku edhe vazhdon gjykimi ndaj tij dhe ish-kryeparlamentarit, Kadri Veseli, ish-zëdhënësit të UÇK-së, Jakup Krasniqit dhe ish-deputetit të Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi.

Elez Biberaj ka punuar në Zërin e Amerikës për më shumë se katër dekada. Ai filloi si gazetar në muajin dhjetor, 1980 dhe pas gjashtë vitesh udhëhoqi Shërbimin shqip të Zërit të Amerikës deri më 2004.

Pas punës në Shërbimin shqip në Zërin e Amerikës, Biberaj ka qenë drejtor i gjithë Zërit të Amerikës për gjashtë muaj, pastaj ka qenë drejtor i “Zërit të Amerikës” në divizionin e Euro-Azisë që nga viti 2005 deri 2020, duke e bërë atë përgjegjës për programin e “Zërit të Amerikës” për audiencën në Rusi, Ukrainë, Armeni, Gjeorgji dhe Ballkan.