Site icon Telegrafi

Çka i shkakton aknet te të rriturit?

Numri i grave të cilat vuajnë nga aknet edhe në moshë të rritur, është gjithnjë e më i madh. Zakonisht, ato akne janë rezultat i çrregullimeve hormonale, të cilat mund t’i shoqërojnë disa sëmundje, thonë ekspertët. Ata thonë se këto akne nuk duhet thjesht të mjekohen me antibiotikë, sepse duhet të bëhen analiza të detajuara rreth shkaktarëve të tyre.

Studimet më të reja tregojnë se, te rreth 80% e grave që janë mjekuar me antibiotikë, nuk ka pasur përmirësime. Nëse aknet paraqiten si shenjë e humbjes së ekuilibrit të hormoneve, ato zakonisht përcillen edhe nga çrregullimi i ciklit menstrual. Për këtë shkak, rëndësi të madhe ka trajtimi i akneve me ilaçe që ndikojnë te hormonet.

Shkaktarët e çekuilibrimit hormonal
Njëri nga shkaktarët më të shpeshtë të akneve është sindroma e vezoreve policistike, ku, në këtë rast, aknet gjenden në gjysmën e poshtme të fytyrës dhe përgjatë vijës së nofullës. Po ashtu, e pranishme është edhe mbipesha dhe ngadalësimi i metabolizmit.
Aknet mund të paraqiten edhe si rezultat i tepricës së hormonit mashkullor – testosteronit. Në raste të tilla aknet mund të mjekohen me pilula kontraceptive.

Grimi tepër "i rëndë"
Aknet mund të shkaktohen edhe nga grimi i tepërt, i cili i mbyll poret e lëkurës, duke mos e lënë atë të marrë frymë. Kjo shkakton inflamacion dhe grumbullim të yndyrës. Kjo vlen sidomos për lëkurën e përzier dhe të yndyrshme, e cila është më e prirë për paraqitjen e puçrrave dhe akneve. Ky problem zgjidhet duke përdorur grim që përmban ujë dhe minerale.

Tretmanët tepër agresivë
Pastrimi i tepërt i fytyrës, si dhe tretmanët agresivë kozmetikë ndikojnë si piling, duke e tharë lëkurën, gjë që mund të çojë deri te paraqitja e akneve. Nëse përdorni tretman kundër akneve, këshillohuni me dermatologun se sa herë duhet ta lani fytyrën dhe si duhet ta lani atë.
/Telegrafi/
 

Exit mobile version