Site icon Telegrafi

Ç’ka i nevojitet Kosovës tani?

Për një kohë bukur të gjatë unë kam drejtuar një kompani me degë në shumë vende të botës, ku përdoren 32 monedha të ndryshme. Si politikan i viseve tona, mbase s’do të duhet ta thosha shpesh këtë element të së kaluarës sime. Ama, si besnik i sinqeritetit në politikë, unë e afirmoj këtë të kaluar, për të dëftuar diçka të rëndësishme, për sfidat e ekonomisë së Kosovës, dhe nevojën e ‘know how’ për krijimin e një klime më të mirë investimesh në Kosovë. Qasja ime është një qasje tërësisht liberale. E njoh tashmë realitetin nga të dy anët. Si investitor dikur në një vend të huaj dhe si zyrtar përgjegjës, megjithëse prej pak muajsh, për investimet e huaja. Po mundohem ta ilustroj këtë qasje liberale, nëpërmjet disa koncepteve të thjeshta. Jemi vendi më i ndërkombëtarizuar, por ekonomia jonë është një ishull. Kosova sot, me gjithë largimin e misionit të OKB-së, UNMIK, mbetet vendi më i ndërkombëtarizuar. Ka një prani ushtarake, policore, ekspertësh në fusha të qeverisjes, etj.

Por a e dini, argumentin se pse Kosova nuk vuan gjerësisht pasojat e krizës globale? Sepse ekonomia e Kosovës, megjithëse përdor euron që në themelim të shtetësisë së saj, nuk është aq e ndërlidhur me ekonominë evropiane apo botërore sa të vuajë gjithë pasojat e krizës. Çdo të thotë kjo? Do të thotë se kjo prani ndërkombëtare nuk ja ka arritur të integrojë sidokudo ekonominë tonë në atë botërore, apo europiane. Do të thotë se realiteti ekonomik në Kosovë mbetet një ishull i papërcaktuar, pa lidhje të qenësishme me Europën dhe me botën, megjithëse ka zgjedhur euron që në fillim. Nuk dua t’ja hedh fajin tërësisht pranisë europiane apo ndërkombëtare për këtë gjendje. Realisht ne nuk kishim burime njerëzore, administrative, manaxheriale që krahas themelimit të shtetësisë së Kosovës, të punonim për krijimin e një sistemi të vërtetë ekonomik.

Nuk kemi një sistem ekonomik

Mbërritëm tek një koncept tjetër, koncepti i sistemit. Cilësitë kryesore të sistemit janë funksionimi harmonik dhe vetëmjaftueshmëria e tij. Kujdes, për një njeri si unë, vetëmjaftueshmëri nuk domethënë autarki! Unë e mendoj sistemin Kosovë, si sistem që ja mbërrin të përdorë në mënyrë efektive dhe racionale të gjithë burimet dhe të ndërveprojë në mënyrë aktive me sistemin global.

Sigurisht unë nuk pretendoj se një vend si Kosova, mund të jetë brenda një kohe të shkurtër, tërësisht e vetëmjaftueshme, duke kuptuar me këtë, një sistem që përdor në mënyrë efektive dhe racionale të gjithë burimet e veta natyrore dhe njerëzore. Madje në krye të herës fola për nevojën e integrimit të “sistemit Kosovë”, në sistemin e përbotshëm. Por realisht ne, në këto 12 vjet pavarësi, dhe 4 vjet shtet të ri, vetëm apo me asistencën ndërkombëtare, nuk ja kemi mbërrit të krijojmë një sistem rregullash, institucionesh, ndërlidhjesh me botën, pra nuk ja kemi dalë të krijojmë “sistemin Kosovë”. Për pasojë nuk ja kemi mbërritur që të sigurojmë rritje ekonomike të mjaftueshme, që të vihen në punë asetet tona natyrore, që papunësia të ulet progresivisht, që të ardhurat për frymë të rriten, që të financohet rritja, të kemi zhvillim njerëzor të qëndrueshëm.

Serbia akoma ndikon ekonominë tonë

Këtë vit përveç krizës globale, ne si Kosovë përballuam një minikrizë që lidhej me aplikimin e të ashtuquajturave “masa të reciprocitetit”. Edhe situata para këtyre masave, edhe gjatë zbatimit të tyre, por dhe sot, na konfirmon atë që thashë në fillim. Ai që për konvencion do ta quajmë sistemi Kosovë, mbetet i lidhur me sistemin Serbi, në shumë elementë. Pra megjithëse kanë kaluar 12 vjet prej shkëputjes nga shteti serb, “sistemi Kosovë” mbetet në stanjacion. Ne nuk ditëm, nuk mundëm të riorientonim tregun tonë drejt partnerëve të rinj, megjithëse ka disa shenja pozitive në këtë drejtim, në rritjen e marrëdhënieve ekonomike me fqinjët, me Shqipërinë, Maqedoninë, Turqinë dhe Bullgarinë.

Kemi mbetur peng, dhe pjesë e një sistemi ekonomik të dikurshëm, i cili e ka parë Kosovën si hapësirë për të shfrytëzuar egërsisht burimet natyrore, ato minerale në veçanti, dhe treg për mallra industriale të një cilësie të dobët, me çmime të përballueshme prej konsumatorit kosovar. Duke mbetur peng e këtij sistemi ekonomik me emrin Serbi, ne as nuk kemi mundur ta ndërkombëtarizojmë sistemin tonë ekonomik. Pse ka ndodhur kjo? Na mungon qasja afatmesme, ose afatgjatë. Kam qasje vetëkritike. E di se një pjesë e mirë e fajeve janë tonat. Paaftësia, nevoja për orientimin kah problematika ngushtësisht politike dhe jo ekonomike, pra kah prioritetet politike, si zgjedhjet, krijimi i institucioneve politike, etj janë disa prej shkaqeve.

Por mendoj dhe se miqtë ndërkombëtarë, janë karakterizuar gjithashtu nga njëlloj qasje afatshkurtër në zhvillimin e misioneve të tyre në Kosovë. Një ndërmarrje si ajo e krijimit të një shteti, të një sistemi ekonomiko-politik, nënkupton qasje afatgjatë apo afatmesme, të paktën. I kuptoj politikanët lokalë, apo çdo politikan që vepron me logjika afatshkurtra 4 vjeçare sa është koha mes zgjedhjeve, por nuk kuptoj dot misionarët ndërkombëtarë që kanë patur prioritetin e vetëm shtetndërtimin e Kosovës. Nuk mund të ndërtohet shtet, pa krijuar një sistem ekonomik mbështetës. Ky sistem kërkon logjikë afatgjatë. Më vjen keq ta them, por shpesh dhe përfaqësues të kapitalit apo biznesit ndërkombëtar, pasi gjenden në Kosovë, operojnë me logjika lokale, me logjika afatshkurtra, diçka që frenon zhvillimin. Kjo vlen për bankat, apo për operatorë të tjerë.

Na duhet një model zhvillimi

Të krijosh një sistem ekonomik mbështetës, do të thotë të jesh i qartë për atë që do të bësh. Do të thotë të kesh një model zhvillimi. Po a ka Kosova një model zhvillimi ? Jemi në një rreth vicioz : të kesh model, do të thotë të kesh qasje afatmesme dhe afatgjatë, dhe të kesh këtë qasje, do të thotë të dish ku do mbërrish pas disa vitesh, pra do të thotë të kesh model. Ne s’kemi as model, as qasje afatgjatë. Më vjen keq ta them, por dhe miqtë tanë ndërkombëtarë, diplomatë apo në role të tjera, të cilët zhvillojnë detyrën në mandate disa vjeçare, nuk e kanë patur këtë qasje. Shpesh, ata, duke konsultuar dhe kolegët e mi politikë, kanë sugjeruar, kanë preferuar modele privatizimi të caktuara, që nuk kanë kontribuar në zhvillim. Nuk i kanë kontribuar madje as zhvillimit të kapitalizmit tregtar, sepse të privatizosh stabilimentet e dikurshme industriale, pa kërkuar plane zhvillimore, do të thotë se ke besuar në përdorimin e këtyre stabilimenteve në funksion të tregtisë.

Po a kemi ne sot tregti të zhvilluar? Ç’është bërë me ato stabilimente ? Ne ndoqëm modelin gjerman, nëse mund ta themi këtë, dhe jo modelin polak të privatizimit, i cili ishte më i matur, i cili kishte në thelb ristrukturimin dhe shtimin e vlerës së aseteve publike, para privatizimit të tyre. Unë kam preferuar gjithmonë këtë model, dhe jo pse besimi im ndaj kapitalizmit, është i dobët- kjo as mund të mendohet për një ish ndërmarrës të madh global si unë. Unë kam preferuar atëherë dhe sot, ndërtimin e një partneriteti të qëndrueshëm publiko privat, në adresimin e procesit të privatizimit, të aseteve tona. Si parti, personalisht, ne jemi përpjekur të integrojmë idetë tona zhvillimore në programin tonë qeverisës.

Kam planin tim të shpëtimit për Trepçën, gjigantin minerar të Kosovës. Në këtë plan konceptet kyçe janë: krijim sistemi; ndërkombëtarizim të menaxhimit, integrim të tregjeve, aksionarit publik, dhe më në fund shumëfishim të vlerës së këtij aseti nga komercializimi i tij tërësor në tregun ndërkombëtar, pas zgjidhjes së kontesteve. Të njëjtën ide unë e shpreha dhe për privatizimin e PTK-së, i cili mjerisht dështoi. Ideja ime ishte alternative me atë që u ndoq – gjetje e një kredie afatmesme, zhvillim i kompanisë, menaxhim privat i saj dhe pastaj shitje e pjesshme e aksioneve.

Cila është zgjidhja në një rrafsh më të gjerë?

Zgjidhja është hapja. Hapja drejt partnerëve të rinj, krijimi i një sistemi ekonomik tërësisht modern, tërësisht të reformuar, të integruar me botën, me perëndimin. Zgjidhja është adoptimi i një qasjeje afatmesme dhe afatgjatë në krijimin e sistemit politiko-ekonomik të Kosovës. Zgjidhja është integrimi rajonal dhe shkëputje e vargonjve skllavërues mbi ekonominë e Kosovës nga ekonomia e ndonjë vendi fqinjë si Serbia. Për këtë arsye unë kam nxitur fuqimisht krijimin e një hapësire rajonale ekonomike të përbashkët, e cila nis më së pari nga njëlloj integrimi ekonomik i fqinjëve si Kosova, Shqipëria, Maqedonia. Afërmendsh që meqenëse pjesa dërrmuese e popullsisë së Kosovës është shqiptare dhe ajo rrethohet nga shqiptarë, ky lloj integrimi ekonomik do të jetë më i lehtë dhe përparësor për shqiptarët. Ndërkaq Serbia duhet ta lerë të lirë ekonominë e Kosovës. Serbia duhet ta sqarojë nëse lidhjet e saj me Kosovën janë shpirtërore, historike, fetare, apo janë ngushtësisht ekonomike.

Partnerët tanë ndërkombëtarë duhet t’ia bëjnë të qartë Serbisë se duhet të përcaktohet në lidhje me këtë dilemë. Partnerët tanë ndërkombëtarë kanë nisur t’ia bëjnë të qartë Serbisë këtë, me veprimin e vendosur në veri të Kosovës. Me rezistencën që bën Serbia në atë pjesë të territorit tonë, po tregon se autonomia e veriut është thjesht kartë me karakter ekonomik, e lidhur me kontrabandën, me krijimin e një xhepi territorial të defiskalizuar dhe jo aspiratë politike.

Për këtë arsye qeveria ku unë bëj pjesë, më së pari është përpjekur të ndërmarrë masa të shumta për krijimin e një mjedisi politik stabil. Kosova ka nivel shumë të ulët të konfliktualitetit politik, që është parakusht i reformave me karakter afatmesëm dhe afatgjatë. Në një klimë të tillë, qeveria ka ndërmarrë masa të shumta nxitëse për biznesin ndërkombëtar, për atë vendor sipas një Plani Veprimi të Vizionit Ekonomik të Kosovës.

E nisa këtë artikull me shpjegimin e përsesë së qasjes sime liberale, integruese dhe vijova me disa ide. Fjala kyçe për daljen nga kriza energjetike e viteve 70 në Francë ishte: Nuk kemi naftë, por kemi ide. Nafta e Kosovës janë asetet e mëdha natyrore, minerare, njerëzore, pra Kosova ka “naftë”. Por Kosova ka edhe ide.

(Autori është zëvendëskryeministër i parë i Kosovës)

Exit mobile version