Telegrafi

Çka është meditimi? Cilat janë përfitimet dhe si ta praktikojmë atë

“Meditimi sjellë urtësi, qetësi dhe dashamirësi ndaj vetës dhe botës“
“Sa më shumë meditoni, aq më shpejtë do ktheheni te vetja juaj”

 

Shkruan: Edona Llonçari

Meditimi është një praktikë që përfshin fokusimin e mendjes dhe qetësimin e trupit dhe mendjes për të arritur një gjendje të thellë relaksimi dhe vetëdijesimi. Ai përdoret shpesh për të përmirësuar mirëqenien mendore dhe emocionale, si dhe për të zhvilluar një lidhje më të thellë me veten.

Domethënia e meditimit

Mund ta përshkruajmë meditimin në mënyra të ndryshme, ato nënkuptojnë:

Fokusimin e mendjes: Meditimi shpesh përfshin përqendrimin në frymëmarrje për të ndihmuar në qetësimin e mendimeve dhe zhurmave mentale.

Qetësimin: Një nga qëllimet kryesore të meditimit është të arrihet një gjendje e qetësisë dhe relaksimit. Kjo ndihmon në reduktimin e stresit dhe ankthit.

Vetëdijesimin: Meditimi ndihmon individët të bëhen më të vetëdijshëm për mendimet, ndjenjat dhe trupin e tyre. Kjo vetëdije mund të çojë në një kuptim më të thellë të vetes.

Zhvillimin e përqendrimit: Praktika e rregullt e meditimit mund të ndihmojë në përmirësimin e përqendrimit dhe fokusit në aktivitetet e jetës së përditshme.

Përmirësimin e shëndetit mendor: Studimet kanë treguar se meditimi mund të ndihmojë në reduktimin e simptomave të depresionit, ankthit dhe stresit, duke kontribuar kështu në një mirëqenie të përgjithshme.

Spiritualitetin: Për disa njerëz, meditimi është një praktikë shpirtërore që ndihmon në zhvillimin e një lidhjeje më të thellë me universin, natyrën ose me një forcë më të lartë.

Ekzistojnë disa lloje të meditimit, në mesin e tyre mund të cekim:

▪ Meditimi i fokusimit: Përqendrimi në një objekt, frymëmarrje, ose në një fjalë.
▪ Meditimi i lëvizjes: Si joga, ku lëvizjet fizike janë të lidhura me frymëmarrjen dhe meditimin.
▪ Meditimi i udhëhequr: Një udhëheqës drejton meditimin, shpesh përmes një regjistrimi ose një sesioni të drejtpërdrejtë.

Ja disa këshilla për ata që fillojnë meditimin, praktikë kjo, që do t’ju ndihmojë në përmirësimin e mirëqenies mendore dhe emocionale:

Filloni me hapa të vegjël: Mos u shqetësoni të meditoni për një periudhë të gjatë në fillim. Një minutë ose dy janë të mjaftueshme për të filluar. Më mirë çdo ditë nga pak, sesa një herë në muaj – një orë.

Zgjidhni një ambient të qetë: Gjeni një vend të qetë ku nuk do të shqetësoheni nga zhurmat apo ndërprerjet.

Pozita e rehatshme: Uluni ose shtrihuni në një pozite që është e rehatshme për ju. Mund të uleni në tokë, në një karrige ose në ndonjë pozitë tjetër që ju ndihmon të relaksoheni.

Përdorni teknikën e frymëmarrjes: Fokusohuni në frymëmarrjen tuaj. Merrni frymë thellë dhe ngadalë, më pas nxirrni frymën duke e lënë trupin tuaj të relaksohet.

Pranoni mendimet që vijnë: Është normale që mendimet të vijnë gjatë meditimit. Pranoni ato pa u shqetësuar dhe kthehuni në fokusin tuaj, qoftë frymëmarrja apo një tjetër objekt meditimi. Konsiderojini mendimet që vijnë, sikur retë në qiell, vijnë dhe ecin, kalojnë.

Kohëzgjatja: Përcaktoni një kohë të caktuar për të medituar çdo ditë. Kjo mund të jetë 5-10 minuta në fillim dhe pastaj mund të shtoni kohën sipas dëshirës.

Eksperimentoni me teknika të ndryshme: Ka shumë lloje meditimi, si meditimi me fokusim, meditimi në lëvizje (siç është joga) ose meditimi udhëheqës, siç është cekur edhe me lartë. Provoni disa dhe zgjidhni atë që ju përshtatet më mirë, mund të kombinoni, një herë këtë teknikë, një herë një teknikë tjetër, dëgjojeni veten dhe bëjeni meditimin sipas teknikës që ju pëlqen.

Jini të durueshëm: Meditimi është një praktikë dhe ndonjëherë mund të ndjeheni të frustrueshëm. Jini të durueshëm me veten dhe vazhdoni, mos e braktisni për shkak se ju duket që nuk do t’ia arrini. Nëse këmbëngulni që ta mbani këtë disiplinë në jetën tuaj të përditshme, ju do keni përfitime të mëdha, keni durim.

Shkruani për përvojën tuaj: Pas meditimit, mund t’ju ndihmojë të shkruani disa mendime ose ndjenja që keni pasur gjatë procesit.

Përfshini meditimin në rutinën tuaj: Bëjeni meditimin si një pjesë të rëndësishme të rutinës suaj të përditshme, qoftë në mëngjes, pasdite ose natën, sa herë që e ndjeni të nevojshme, pavarësisht ku jeni, ju mund të ndaloni për disa qaste dhe të meditoni.

Në përgjithësi, meditimi është një mjet i fuqishëm që mund të ndihmojë në arritjen e paqes se brendshme, qetësisë dhe mirëqenies së përgjithshme.

Meditimi është një udhëtim personal, kështu që gjeni atë që funksionon më së miri për ju dhe shijoni procesin, pa e gjykuar apo kritikuar veten; tregoni dashamirësi me veten dhe ndjehuni të lumtur për këtë investim, vetja juaj do t’ju falënderojë në forma të ndryshme!

Ju uroj rrugëtim të bukur përmes meditimit! /Telegrafi/