Analisti Lumir Abdixhiku ka reaguar ndaj letrës së përbashkët të Odës Ekonomike të Kosovës dhe të Odës Ekonomike të Serbisë të cilat janë ankuar në BE për rrokullisjen e kamionëve të Serbisë në Kosovë.
Ai ka thënë se OEK nuk ka reaguar kurrë për shkeljet që Serbia i ka bërë dhe vazhdon t’i bëjë ndaj Kosovës.
“Shumë mirë që Oda Ekonomike e Kosovës dhe ajo e Serbisë, i paskan shkruar Brukselit ankesë të përbashkët për rrokullisjen e kamionëve. Qenkan brengosur për partneritetin e ndërsjellë – siç e do rendi i partnerëve.
Por, meqë u paska mbet te partneriteti e te rendi, si s’u kujtuan këto kurrë, veçanërisht kjo e jona, t’i shkruaj ndonjëherë Brukselit që Serbia nuk i njeh Kosovës as targat e automjeteve e as pasaportat, dy parakushte thelbësore për tregti e lëvizje?
Siç s’i shkruan asnjëherë se përkundër nënshkrimit të marrëveshjes për tregti të lirë, obligim evropian, Serbia ndalon, kthen e refuzon secilën dërgesë kosovare për atje; ani pse i shet këndej tre-katërqind milionë euro në vjet? Çka është ky nënshtrim i mjerë kështu?”, ka shkruar Abdixhiku në profilin e tij në Facebook.