10 të rinj përgjatë 3 muajve ndjekën modulet e përgatitura me kujdes në fushën e marketingut dixhital. Zelli i tyre veç se shtohej pas çdo ligjërate dhe kurioziteti i tyre për të mësuar më shumë nuk kishte limit.
Nga zero ata arritën të përfitojnë njohuri të mjaftueshme që sot të drejtojnë një kampanjë mjaft të suksesshme me mbi 50 mijë shikime në video-materialet e përgatitura nga ta.
Jo vetëm marketingun, ata mësuan edhe se si të jenë liderë të ekipit, si të menaxhojnë kohën dhe detyrat, si të komunikojnë në mënyrë të mirëfilltë dhe si të zhvillojnë aftësitë e tyre të buta dhe shkathtësitë që i duhen çdo të riu.
Dita e madhe e 17 shkurtit po afrohej, bashkë me të edhe data e lansimit të kampanjës e cila vërehet se doli nga zemra. Kosova është: shtëpia ime.
Këta të rinjë synuan të tregojnë se si e shohin vendlindjen e tyre, e cila ju mbolli në zemër vetëm dashuri dhe mirënjohje.
Gjatë punëtorive ata rrezatonin kaq pasion kur flisnin se si Kosova është një vend me plot begati e ka shumë mënyra përmes së cilave do e njoftonin botën me këtë gur të çmueshëm.
Grupi i përbërë nga: Blerta, Arbesa, Dea, Valmira, Edona, Endrina, Azizi, Zana, Beni e Arlindi përgatiti video, foto e materiale promovuese, ku secila shfaqte anën pozitive të vendit tone, me qëllimin e madh siç e quajnë ata “T’i tregojnë botës se sa e veçantë është Kosova-shtëpia jonë”.
Ne ju inkurajojmë të vizitoni faqet e tyre në Facebook dhe Instagram, ku Kosova shihet nga një sy komplet tjetër nga ai që jemi mësuar ta shohim.
Grupit i urojmë shumë suksese dhe bëjmë thirrje të mbështesni këto nisma të cilat padyshim se janë për tu duartrokitur.