Site icon Telegrafi

Çka e gjeti KQZ-në?

Nëse qytetarët dhe institucionet e Kosovës janë mburrur për diçka jashtë vendit ka qenë organizimi dhe mbarëvajtja e proceseve zgjedhore ndër vite – pavarësisht se kush ka fituar.

Por, jo edhe këtë herë. Jo me entuziazmin e njëjtë, të paktën.

Pakënaqësitë janë rritur edhe për faktin se, për dallim prej viteve të fundit, kur zgjedhjet janë mbajtur para kohe dhe Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka pasur vetëm një muaj e pak për t’i bërë të gjitha përgatitjet, këtë herë zgjedhjet e 9 shkurtit kanë qenë të rregullta, dhe KQZ-ja i ka pasur gjashtë muaj për t’u siguruar që gjithçka do të shkonte mirë.

Rënia e serverit dhe e ueb-faqes zyrtare të KQZ-së në ditën e zgjedhjeve, vonesat në numërimin e votave për kandidatët për deputetë, telashet me blerjen e kamerave dhe mostrajnimi i duhur i stafit, janë vetëm disa prej problemeve që kanë dalë gjatë rrugës, të cilat, siç thonë disa, ia kanë zbehur besueshmërinë gjithë procesit.

KQZ-ja e ka arsyetuar nisjen me vonesë të numërimit të votave, duke thënë se procesi i ri i numërimit – siç e parasheh Ligji i ri për zgjedhjet – është kompleks dhe se institucioni është duke kaluar nëpër të për herë të parë.

Kush ka faj?

Organizatat joqeveritare, që kanë mbikëqyrur procesin zgjedhor, bëjnë me gisht drejt KQZ-së.

Rrjeti i tyre, Demokracia në Veprim (DnV), ka vlerësuar se problemet me serverë kanë krijuar konfuzion dhe kanë ulur besimin e publikut në transparencën e procesit.

DnV-ja ka përmendur edhe vonesa në miratimin e përbërjes së Komisioneve Komunale Zgjedhore (KKZ), dhe në procesin e tenderimit dhe përdorimit të matrikulimit, si metodë për identifikimin e votuesve.

Partitë opozitare fajësojnë pushtetin.

Kandidati i AAK-së për kryeministër, Ramush Haradinaj, ka thënë se fakti që rezultati preliminar i zgjedhjeve nuk është ditur as pas 24 orëve, “për herë të parë në historinë e Kosovës, është pasojë e drejtpërdrejtë e zëvendësimit të kuadrove profesionale me militantë partiakë, dhe e angazhimit të kompanive të teknologjisë informative përmes tenderëve të dyshimtë njëburimorë”.

Qeveria e Kosovës ka thënë se nuk është përgjegjëse për serverët e KQZ-së, dhe se softueri i është dhuruar KQZ-së nga Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE), ndërsa akuzat drejt ekzekutivit i ka konsideruar përpjekje të ulët “për të shkaktuar huti, me qëllim që të ulet besimi në procesin zgjedhor dhe në rezultatin e tij”.

Kompania Cacttus, e cila është kontraktuar për të zhvilluar softuerin për Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve (QNR) të KQZ-së, ka thënë, nëpërmjet përfaqësuesit të saj ligjor, Arianit Koci, se aplikacioni është i vendosur në infrastrukturën qeveritare, e cila menaxhohet nga Agjencia e Shoqërisë së Informacionit (ASHI), dhe se siguria, luftimi i krimit kibernetik, por edhe funksionimi i faqes, janë përgjegjësi e agjencisë shtetërore.

Trajnim një ditë para zgjedhjeve

Kritika për mbarëvajtjen e zgjedhjeve ka pasur edhe misioni i Bashkimit Evropian, i cili e ka monitoruar procesin.

“KQZ-ja është përballur me vonesa të konsiderueshme në përgatitje, në aspektin teknik dhe administrativ. Vështirësitë në procesin e prokurimit kanë penguar blerjen e pajisjeve teknike për qendrat e votimit, përgatitjen e materialeve për edukimin e votuesve, si dhe operacionet logjistike për shpërndarjen e materialeve zgjedhore”, është thënë në deklaratën e misionit të BE-së, të lëshuar më 11 shkurt.

Kryesuesi i një qendre të votimit në Prishtinë – i cili nuk ka dashur të identifikohet – ia ka përshkruar Radios Evropa e Lirë procesin e numërimit të votave për deputetë si kaotik, duke përmendur edhe problemin e trajnimit joadekuat të stafit, “me nga 500 persona në një sallë, pa mikrofon, vetëm një ditë para zgjedhjeve”.

Deklaratat e tij janë në linjë me reagimin e misionit të BE-së: “Kualiteti i sesioneve trajnuese të stafit në qendrat e votimit ka dalluar. Ndonëse shumica e tyre kanë qenë informative dhe interaktive, në disa raste, çështjet kyç, sikurse rregullorja e re për votimin e asistuar, rolet e komisionarëve dhe procedurat e numërimit, nuk janë adresuar në mënyrë të njëtrajtshme, duke rezultuar me zbatim jokonsistent të tyre në ditën e zgjedhjeve”.

Hetimet e Prokurorisë

Ish-zyrtarë të KQZ-së, me të cilët ka biseduar Radio Evropa e Lirë, kanë shprehur keqardhje për këto lëshime në proces, dhe kanë fajësuar udhëheqjen e institucionit për këtë situatë.

Sipas tyre, zyrtarët e rinj sikur e kanë pasur një tendencë që të eliminojnë çdo praktikë të mëparshme, pavarësisht se a ka funksionuar.

Disa kanë folur me tone kritike edhe për mungesën e kryetarit të KQZ-së, Kreshnik Radoniqi, nëpër deklarime para mediave.

Prokuroria Themelore në Prishtinë ka konfirmuar për Radion Evropa e Lirë se ka kërkuar nga KQZ-ja marrjen e informatave të nevojshme për të vërtetuar nëse ka elemente të kryerjes së ndonjë vepre penale.

Vetë KQZ-ja ka thënë më 12 shkurt se i ka bërë thirrje Prokurorisë së Shtetit dhe institucioneve të tjera të sigurisë për ta sqaruar situatën dhe për të ofruar mbështetje teknike, teksa ka siguruar se, pavarësisht gjithë kësaj situate, integriteti i votës nuk është cenuar dhe se rezultatet do të jenë të sakta.

Edhe ish-zyrtarë të KQZ-së kanë thënë se njëmend është vështirë të manipulohet me vota, por e keqja e gjithë kësaj është humbja e besimit të qytetarëve në procesin zgjedhor.

Exit mobile version