Telegrafi

City tentoi ta bënte njërin nga më të paguarit në botë, zbulohet oferta e madhe që është refuzuar nga Mbappe

Kylian Mbappe vlerësohet si njëri nga futbollistët më të mirë në botë dhe njëkohësisht edhe më i kërkuari.

Sulmuesi francez ka një kontratë me Paris Saint Germain deri në verën e vitit 2022, por që ka refuzuar vazhdimin e saj.

Mbappe është i vendosur të largohet nga Parc de Princes gjatë afatit kalimtar të verës dhe për këtë janë të njoftuar tanimë drejtuesit e klubit francez.

Manchester City është njëra nga skuadrat e interesuara për transferimin e lojtarit, por gjiganti anglez ka marrë një përgjigje negative nga Mbappe.

Citizens i kanë ofruar pagë vjetore prej 35 milionë eurove në sezon, 12 më shumë se sa fiton aktualisht Mbappe, por përgjigja e francezit ka qenë negative.

Sipas medieve franceze Mbappe e ka refuzuar këtë ofertë pasi preferon më shumë kalimin në Spanjë te Real Madridi ose tek kampioni në fuqi i Anglisë, Liverpool.

City duket se është dorëzuar nga nënshkrimi me lojtarin, edhe pse nëse do ta pranonte Mbappe këtë ofertë do të bëhej futbollisti më i paguar në Angli dhe ndër më të paguarit në botë. /Telegrafi/