Site icon Telegrafi

City do ta ndryshoj skemën ndaj Bayernit, Guardiola: Në Munich jemi për tu mbrojtur

Manchester City ka marrë fitore të madhe në ndeshjen e parë çerekfinale të Ligës së Kampionëve 3-0 ndaj Bayern Munich.

Citizens sonte do të luajnë ndeshjen e kthimit në Allianz Arena dhe synimi është të shkojnë në gjysmëfinale të garës më të madhe evropiane për klube.

Pep Guardiola e di shumë mirë se nuk do të jetë e lehtë në Munich me një Bayern që do të bëj të pamundurën për ta rikthyer rezultatin.

Trajneri spanjoll ka lënë të kuptohet se do të ndryshojë skemën pasi në këtë sfidë ai pritet të mbrohet.

“Ne do të mbrohemi sigurisht. Pjesë e lojës është që ju duhet të mbroni dhe ne do të mbrohemi në sfidën e kthimit. Kjo është një mundësi për të treguar veten përballë një prej skuadrave më të mira në Evropë dhe ne do të përpiqemi të imponojmë lojën tonë”.

“Ne do të përpiqemi të bëjmë sa më shumë që të jetë e mundur. Mendësia është të përpiqemi të fitojmë ndeshjen”, u shpreh trajneri i Manchester Cityt.

Lexo po ashtu Dita e ndeshjeve kthyese çerekfinale në Ligën e Kampionëve, Man City dhe Interi kërkojnë konfirmimin

Tutje trajneri spanjoll foli edhe për vitet e kaluara në Munich, duke thënë se Bayerni ka mentalitetin e duhur edhe për ta përmbysur rezultatin.

“Unë kam kujtime të pabesueshme në Munich. Kam qenë këtu në Munich dhe e di mentalitetin e këtij klubi. Ata do të tentojnë të bëjnë mrekullinë dhe për këtë arsyeje duhet të kemi kujdes”, tha ndër të tjera Guardiola.

Skuadra që kalon tutje nga kjo përballje në gjysmëfinale do të takohet me Real Madridin. /Telegrafi/

Exit mobile version