Manchester City ka vazhduar shkëlqimin në Ligën Premier, derisa ka mposhtur për herë të dytë brenda pesë ditëve Arsenalin me rezultat 0-3.
Ndeshja filloi me interesim të vogël nga londinezët të cilët si rrallë herë më parë nuk e kishin mbushur stadiumin ‘Emirates’.
E të dëshpëruar nga klubi i tyre i zemrës Arsenal, tifozët londinez u dëshpëruan edhe në takimin e sontëm ndaj Manchester Cityt.
Vetëm 15 minuta i mjaftuan skuadrës së Pep Guardiolës për ta zhbllokuar rezultatin në 0-1.
Ishte mesfushori portugez Bernardo Silva që me një gjuajtje të fortë dhe precize shënoi nga distanca për 0-1.
Goli i dytë nuk vonoi dhe erdhi 13 minuta më vonë nga ‘Citizens’.
Një aksion i bukur u ndërtua mes Leroy Sane dhe Kun Aguero që asistoi për David Silven i cili me lehtësi shënoi për 0-2.
Kur të gjithë po prisnin reagimin e vendasve ndodhi e kundërta.
City arriti ta shënoj edhe golin e tretë pas një kundërsulmi të shpejtë.
Kyle Walker asistoi bukur nga krahu i djathtë për Leroy Sanen i cili pa problem shënoi në portën e zbrazur për 0-3.
Pas golit të tretë të mysafirëve, shumë nga tifozët vendas u larguan kokulur nga stadiumi dhe të dëshpëruar me paraqitjen e skuadrës së tyre.
Me epërsinë prej tre golave të Cityt përfunduan 45 minutat e para të ndeshjes.
Arsenali kishte mundësinë të rikthehet në lojë por sulmuesi i transferuar në janar, Pierre Emerick Aubameyang gaboi nga pika e bardhë në minutën e 52-të.
Fitorja ndaj Arsenalit ka bërë që City ta thellojë epërsinë ndaj Liverpoolit në 16 pikë.
Ekipi i Pep Guardiolës ndodhet në pozitën e parë në tabelë me 75 pikë të grumbulluara pas 28 javëve dhe me gjasa shumë të mëdha për ta fituar titullin e Anglisë.
Ndërkohë Arsenali pas kësaj humbje ia vështirëson edhe më shumë punët vetës për të arritur pozitën e katërt që i dërgon në Ligën e Kampionëve. /Telegrafi/
https://www.youtube.com/watch?v=mUJO-QDIy0o