Deri këtë stinor, përparimi i Manchester Cityt në Ligën e Kampionëve ka mundur të matet me hapa të foshnjës, por të martën (20:45), mund të bëjë një hap të madh para kur do të presë Real Madridin në ndeshjen e parë gjysmëfinale në gara evropiane pas plot 45 viteve.
Skuadra angleze e mbështetur nga sheikët, ka thyer barriera të reja këtë stinor, duke kaluar për herë të parë 1/8 e finales të Ligës së Kampionëve, që kishte qenë faza ku kishte dështuar në dy stinorët e kaluar, ndërsa në të kaluarën kishte dështuar edhe të kalonte fazën e grupeve, përcjell Koha Ditore shkrimin e Reuters.
Duke e tejkaluar Paris Saint-Germainin, që ka muskuj të ngjashëm financiar, në çerekfinale të Ligës së Kampionëve, Manchester City ka dhënë një mesazh të fuqishëm, duke arritur për herë të parë në një gjysmëfinale të garave evropiane që prej vitit 1971, kur kishte pësuar nga Chelsea në Kupën e Fituesve të Kupave të Evropës.
Po ashtu, është gjysmëfinalja e parë në Ligën e Kampionëve dhe shpreson të mos ndalet këtu. Skuadra ka mundësinë që në finale, që do të luhet në Milano, të ndeshet kundër gjigantit gjerman Bayern Muenchen, trajneri i të cilit ekip, Pep Guardiola, do të marrë drejtimin e Cityt edicionin e ardhshëm duke e zëvendësuar Manuel Pellegrinin.