Telegrafi

City fiton trofeun e parë për këtë edicion – mposht Tottenhamin në finalen e EFL Cup

Manchester City e ka fituar trofeun e parë për këtë sezon, pasi në finalen e EFL Cup, ka mposhtur Tottenhamin me rezultat 1-0.

Takimin e filluan më mirë Citizens, që qysh në minutën e tetë krijuan një mundësi shënimi me anë të Phil Foden, por që përfundoi jashtë porte.

Anglezi (26’), harkoi në zonën e Spurs, mirëpo topi u largua nga mbrojtja kundërshtare, duke bërë që shifrat të mbeteshin të pandryshuara.

Një mundësi të mirë e lëshoi edhe Riyad Mahrez, që në minutën e 36-të lëshoi një goditje të fuqishme, por që nuk ishte konkrete.

Në 45 minutat e dytë, ishte sërish City që dominoi, ndërsa Ilkay Gundogan lëshoi një mundësi të artë në minutën e 72-të.

Dy minuta më vonë të njëjtën gjë e bëri edhe Mahrez, mirëpo Hugo Lloris bëri pritje të bukur.

Momenti më kryesor i takimin erdhi në minutën e 82-të, atëherë kur Kevin de Bruyne asistoi për Aymeric Laporten që shënoi golin e fitores dhe për të rrëmbyer kështu trofeun siç njihet ndryshe edhe si Carabao Cup. /Telegrafi/