Manchester City ka arritur të fitojë derbin e javës në Ligën Premier duke mposhtur Chelsean në Stamford Bridge me rezultat minimal 1-0.
Skuadra e Pep Guardiolas ka arritur fitoren e pestë radhazi në Ligën Premier në ndeshje ndaj Bluve, duke vazhduar kështu dominimin në këtë fillim sezon, duke kapur përsëri pozitën e parë në tabelë.
Pjesa e parë e takimi përfundoi pa gola (0-0), por pati raste nga të dyja skuadrat ku më kërkues ishin mysafirët e Cityt.
Rastet më të mira në këtë pjesë i patën David Silva (30’) dhe Fernandinho (44’), por në të dy rastet shpëtimtari i Bluve ishte Thibaut Courtois.
Gjatë pjesës së parë ndodhi edhe lëndimi i spanjolli Alvaro Morata, i cili u detyrua ta lëshoj fushën në minutën e 35-të, duke u zëvendësuar me Willianin.
Në pjesën e dytë, City vazhdoi me lojë të mirë dhe kërkuese, duke e gjetur edhe golin e epërsisë.
Ishte mesfushori belg, Kevin de Bruyne, i cili shënoi për 0-1 një supergol nga distanca në minutën e 67 të ndeshjes pasi më parë u asistua nga Gabriel Jesus.
Pas kësaj fitore, City rikthen përsëri pozitën e parë në tabelë me 19 pikë të mbledhura, ndërsa Chelsea renditet në pozitën e katërt me 13 sosh.
Në ndeshjet e radhës, Qytetarët i presin Stoke Cityt në shtëpi, ndërsa Chelsea udhëton drejt Crystal Palace. /Telegrafi/
https://twitter.com/MohamadBsat1/status/914196000419479554