Ka dy risi të çuditshme në derbin numër 174 të Manchesterit në futbollin anglez; luhet të enjten në mbrëmje dhe të dy ekipet në Etihad Stadium synojnë një vend në Ligën e Kampionëve sezonin që vjen.
Pep Guardiola te City dhe Jose Mourinho te United, të dy në vitin e parë në bankinat e këtyre ekipeve, i është dashur të vuajnë presionin e dështimit në objektivat primarë.
Për Djajtë e Kuq do të jetë një mungesë e rëndësishme si Paul Pogba. Francezi nuk do të mund të japë kontributin në derbi pas sforcimit fizik me 47 ndeshje deri më tani këtë sezon.
Trajneri Mourinho gjithashtu konfirmoi se Antonio Valencia është i aftë për t’u kthyer në ndeshjen e së enjtes në “Ettihad Stadium”, por do të mungojnë Chris Smalling dhe Phil Jones.
Në kampin tjetër Pep Guardiola ka dyshimin më të madh dhe serioz siç e quan ai, të prezencës së David Silva.
Spanjolli nuk është në kondicionin e duhur fizik, por “qytetarët” do të kenë Agueron dhe Jesusin.
Kjo ndeshje vendos fatet sezonale të Manchester United me përjashtim vetëm ndeshjen e së dielës ndaj Swanseas, që është praktikisht e lehtë.
Më pas Djajtë e Kuq përballen në Ligën e Evropës dy herë me Celta Vigon, e luajnë ndaj Arsenalit dhe Tottenhemit në Ligën Premier.