Telegrafi

Citroen prezantoi një logo dhe slogan të ri

Pasi e bënë Volkswagen, Skoda, Volvo, Renault Dacia dhe Peugeot, ishte koha që Citroen të ndryshonte logon.

Citroen është i fundit në serinë e prodhuesve evropianë të veturave që kanë ndryshuar identitetin e tyre. Pamja e re “shigjeta e dyfishtë” të kujton dizajnin origjinal të vitit 1919 të adoptuar nga Andre Citroen dhe përfaqëson evolucionin e dhjetë në historinë 103-vjeçare. Logon e ridizajnuar së shpejti do ta shohim në veturë, për të cilën kompania franceze thotë se është ” mjet i rëndësishëm konceptual familjar”.

Logoja e ndryshuar në versione të ndryshme do të përdoret për prodhimin dhe veturat konceptuale nga mesi i vitit të ardhshëm. Kompania franceze po punon për një gjuhë të re dizajni falë së cilës logoja do të jetë më e dukshme dhe të gjithë do ta dinë që në shikim të parë se është Citroen. Një qasje e ngjashme është zgjedhur tashmë nga kompania simotër Peugeot me luanin e saj të zmadhuar.

Logoja është frymëzuar nga modelet legjendare si 2CV dhe DS, dhe ngjyra blu Monte Carlo kthehet jo vetëm si ngjyrë trupi, por edhe si pjesë e identitetit të markës. Përveç kësaj, Infra-Red Red do të zëvendësojë nuancën aktuale të së kuqes për aplikacionet fizike, të printuara dhe dixhitale.

Logoja e ridizajnuar ka një kornizë vertikale ovale në të cilën ka dy shigjeta (deux chevrons), dhe ishte ideja e ekipit të dizajnit të Citroen që bashkëpunoi me agjencinë Stellantis Design Studio. Përfundimi i kromit është zhdukur dhe logoja do të përdoret për ekspozita, ndërtesa të korporatave, produkte të ndryshme dhe dokumentacion. CEO i Citroen, Vincent Covee, tha se logoja e re ishte një “simbol elegant i përparimit” në rrugën drejt një të ardhmeje tërësisht elektrike.

Përveç logos së re, kompania franceze ka një slogan të ri ku shkruhet, “Asgjë nuk na lëviz si Citroen”.

Citroen beson se këto ndryshime ishin të nevojshme përpara “kapitujve më emocionues” në historinë e kompanisë, duke pasur parasysh kalimin e pashmangshëm në energjinë elektrike.

Të gjitha veturat e pasagjerëve nga Stellantis, përfshirë Citroen, do të jenë elektrike deri në fund të kësaj dekade.

Koncepti misterioz që do të “paraqesë” logon e re do të mbërrijë para fundit të këtij muaji. /Telegrafi/