Zëvendësministrja e punëve të Jashtme, Vlora Çitaku në një prononcim për gazetën Infopress ka shprehur optimizmin e saj se Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë do të japë mendim në favor të Kosovës, ndërsa ka shtuar se tani punët janë duke u koordinuar me miqtë tanë në lidhje me këtë proces.
“Kosova ka fakte të mjaftueshme për të mbrojtur shpalljen e pavarësisë dhe këto argumente tani më janë mbledhur nga koordinatori i ngarkuar me këtë punë”, ka thënë Çitaku për këtë gazetë.
Sipas saj, Kosova do të jetë plotësisht e përgatitur deri në mesin e muajit të ardhshëm, kur është afati për dorëzimin e përgjigjeve në Gjykatë. “Deri atëherë Kosova do të jetë e përgatitur. Kemi bërë të gjitha përgatitjet, kemi marrë të gjithë hapat në mënyrë që të prezantohemi në mënyrë sa më profesionale në atë gjykatë”, ka potencuar numri dy i diplomacisë kosovare.
Asambleja Parlamentare e OKB-së muaj më parë ka miratuar kërkesën e Serbisë për të marrë një mendim këshillëdhënës nga Gjykatat Ndërkombëtare e Drejtësisë në Hagë, nëse pavarësia e Kosovës është e ligjshme. Ekipit të Kosovës që do të paraqet faktet para GJND-së i prin eksperti britanik i së drejtës ndërkombëtare, Michael Wood. /Telegrafi/