Shtëpia filmike B2 sot bëri të ditur lajmin se projekti filmik “Cirku Fluturues”, me regji të Fatos Berishës dhe me producente Vjosa Berishën, është përzgjedhur në programin Works in Progress në festivalin prestigjioz të filmit në Karlovy Vary. Projekti ‘Cirku fluturues’ është përzgjedhur në mes 11 projekteve filmike nga tërë bota që do të garojnë për çmimet në këtë kategori.
Projektet e përzgjedhura në këtë garë të “Pitching” do të prezantohen para jurisë profesionale dhe një publiku të gjerë profesionistësh nga mbarë bota, duke u futur njëherësh në garë për çmimin kryesor prej 100,000 eurove në shërbime të postproduksionit.
Regjisori dhe skenaristi i filmit Fatos Berisha me këtë rast deklaroi: “Kjo na jep shpresa që filmi mund të ketë një rrugëtim të mbarë”.
Projekti filmik ‘Cirku Fluturues’ filloi xhirimet në prill të këtij viti. Ato zgjatën plot 19 ditë, me sheshxhirime në tri shtete: Kosovë, Shqipëri dhe Mal të Zi (Prishtinë, Ulqin, Shkodër dhe Tiranë), duke ndjekur skenari e bazuar në ngjarje të vërtetë. ‘Cirku Fluturues’ është komedi e zezë që në vete ngërthen një rrugëtim të një grupi aktorësh, për të marrë pjesë në Festivalin e Teatrit në Tiranë.
‘Cirku Fluturues’ është përkrahur nga Qendra Kinematografike e Kosovës, Qendra Kombëtare Kinematografike e Shqipërisë dhe Bashkia Tiranë, ndërsa koproducent i projektit është edhe shtëpia filmike Ikonë Studio nga Kosova.
Edicioni i 53-të i Festivalit ndërkombëtar të filmit në Karlovy Vary do të mbahet në datat 29 qershor deri me 7 korrik, kurse gara Works mbahet në datat 1-4 korrik. /Telegrafi/