Kryeministri grek dhe lider i partisë majtiste qeveritare SYRIZA, Aleksis Cipras, sipas të ardhurave të paraqitura vjetore te autoritetet tatimore është funksionari më i varfër në krahasim me kolegët e tij ministra në qeveri, disa nga të cilët kanë të ardhura prej gjysmë milion euro.
Këtë tregojnë pasqyrat tatimore të ministrave dhe politikanëve për vitin 2015, që sot u publikuan në faqen zyrtare të parlamentit grek.
Edhe pse politikanët paraqesin se të ardhurat i kanë nga pagat e deputetëve, disa prej tyre kanë edhe depozita prej mbi gjysmë milion euro dhe llogari bankare në dollarë dhe stërlina.
Cipras ka paraqitur të ardhura me vlerë 69 000 euro, depozita për 7 000 euro, një banesë prej 114 metra katror dhe një motoçikletë prej 652 kubikësh.
Presidenti, Prokolis Pavlopulos ka të ardhura mbi 80 000 euro.
Lideri i partisë opozitare ”Demokracia e Re”, Qiriakos Micotaqis, megjithatë ka paraqitur të ardhura prej 81 600 euro, ka 19 prona të patundshme në Kretë, depozita, aksione dhe një makinë.
Më i pasuri ndër politikanët është lideri i “Agimit të Artë”, Nikos Mihaloliakos, i cili së bashku me bashkëshorten kanë paraqitur të ardhura prej mbi gjysmë milionë euro.