Site icon Telegrafi

Cinizmi mund ta dëmtojë shëndetin e trurit

Mosbesimi cinik, i cili është definuar si besimi që të tjerët janë të motivuar kryesisht nga shqetësimet egoiste, është shoqëruar me probleme të tjera shëndetësore, si sëmundjet e zemrës. Ky është studimi i parë, i cili heton marrëdhëniet në mes të cinizmit dhe dementisë.

“Këto rezultate i mbështesin dëshmitë që pikëpamja e njerëzve për jetën dhe personalitetin mund të ketë ndikim në shëndetin e tyre,” tha autorja e studimit Anna-Maija Tolppanen nga Universiteti i Finlandës Lindore në Kuopio. “Të kuptuarit se si një tipar i personalitetit, si cinizmi, ndikon në rrezikun nga dementia mund të na ofrojë njohuri të rëndësishme se si t’i reduktojmë rreziqet nga demenca.”

Për qëllime të studimit, 1.449 persona me një moshë mesatare 71- vjeçare iu nënshtruan testeve për demencën dhe një pyetësori për ta matur nivelin e tyre të cinizmit. Pyetësori u tregua si i besueshëm, dhe rezultatet e njerëzve kishin tendencë të mbesin të qëndrueshme gjatë periudhave disavjeçare.

Njerëzit u pyetën se sa pajtohen me deklaratat si “Mendoj se shumica e njerëzve do të gënjenin për të përparuar,” “Është më sigurt të mos i besosh askujt” dhe “Shumica e njerëzve do të përdorin arsye të padrejta për të përfituar ose për të pasur avantazh në vend se ta humbin atë.” Bazuar në rezultatet e tyre, pjesëmarrësit u grupuan në nivele të ulëta, të moderuara dhe të larta të mosbesimit cinik.

Gjithsej 622 njerëz i përfunduan dy teste për demencën, me të fundit me një mesatare prej tetë vjetësh pas fillimit të studimit. Gjatë kësaj kohe, 46 veta u diagnostikuan me demencia. Pasi që studiuesit i kishin hulumtuar faktorët e tjerë të cilët mund të ndikojnë në rrezikun e demencës, si tensioni i lartë i gjakut, kolesteroli i lartë dhe pirja e duhanit, personat me nivele të larta të mosbesimit cinik kishin tri herë më shumë gjasa të zhvillojnë dementian se personat me nivel të ulët të cinizmit.

Nga 164 njerëzit me nivele të larta të cinizmit, 14 njerëz zhvilluan demencën, krahasuar me nëntë nga 212 njerëzit me nivel të ulët të cinizmit.

Studimi gjithashtu hetoi nëse personat me nivel të lartë të cinizmit kishin më shumë gjasa të vdesin më shpejt se personat me nivel të ulët të cinizmit. Gjithsej 1,146 njerëz u përfshinë në këtë pjesë të analizës, dhe 361 njerëz vdiqën gjatë një mesatareje prej 10 viteve pas studimit.

Cinizmi i lartë ishte i lidhur fillimisht me vdekje të hershme, por pasi që studiuesit i llogaritën faktorët si statusi socio-ekonomik, sjelljet si pirja e duhanit dhe statusi shëndetësor, nuk kishte më ndonjë lidhje mes cinizmit dhe vdekjes së hershme. /Telegrafi/

Exit mobile version