Kinemaja më e madhe dhe më e sofistikuar në vend, Cineplexx Kosova, ka thyer një rekord jo vetëm të kinemasë, apo rekordin lokal – por rekordin mbarë rajonal për premierën e filmit të fundit, “Fast & Furious 8”.
Premiera e shumëpritur nga adhuruesit e filmit nuk ka mundur të mos shënohej me një rekord të rëndësishëm nga kinemaja e cila gjendet në qendrën tregtare Albi Mall.
Në faqen zyrtare, Cineplexx Kosova ka konfirmuar se valët e mëdha të interesimit për premierën kanë kulmuar me një rekord prej 2336 biletash të shitura, vetëm për mbrëmjen premierë.
Ky përbën rekordin e shitjes së biletave edhe në rajon, teksa në faqen e kinemasë në Facebook ky fakt përmendet me krenari.
Ky rekord vjen në vitin e parë të veprimtarisë së kinemasë Cineplexx Kosova në vendin tonë.
Cineplexx Kosova ka pasur sukses të jashtëzakonshëm qysh nga hapja pak muaj më parë, teksa është absolutisht kinemaja e cilësuar si më e mira dhe më e madhja në vend, me teknologjinë më të sofistikuar, cilësi që ka mahnitur adhuruesit e filmit që nuk mungojnë në gjashtë sallat e kësaj kinemaje të njohur si brend në mbarë botën. /Telegrafi/