Telegrafi

Çimentorja, befasisht menaxhohet nga Titani grek

SharrCemi është një prej ndërmarrjeve shoqërore të komercializuar pas luftës dhe vlerësohej si kompania më e suksesshme në vendin tonë, ku janë duke punuar 500 punëtorë.

Kryetar i degës së SPNP-së, Avni Ajdini tha së është njoftuar jo zyrtarisht nga AKP-ja se “Sharr Betelingungs GMBH” ka arritur marrëveshje me Titanin për dhënien me qira të çimentores SharrCem, marrëveshje e cila është bërë në Agjencinë Kosovare të Privatizimit, duke mos i njoftuar fare sindikalistët.

Dega e SP të ndërtimtarisë dhe projektimit të Kosovës, sipas Ajdinit, kundërshton fuqishëm në këtë pazar-vendim të marrjes nga AKP-ja dhe individë të caktuar të papërgjegjshëm që shikojnë interesat personale të përfitimeve të paligjshme individuale.

Kryetari i degës, Ajdini mendon se këto gjëra janë duke u përgatitur për terren korruptiv dhe për privatizim të egër pa kritere, që nesër Titanit t’ia mundësojnë për ta blerë “çimentoren” me një çmim që individët ja caktojnë dhe ia pranojnë investimet e bëra të rreme – “ku janë të fryra e jo sipas realitetit që ndodhet në terren ku ato janë në kundërshtim me ligjin”.

Ai ka thënë se kërkon të zbatohet rregulla ligjore dhe kritere te caktuara sipas agjencisë. "Nuk e di pse Institucionet tona nuk ngrisin zërin për ta penguar këtë ‘matrapazllëk’ të çmendur. Kurse Parlamenti nuk ndien fare përgjegjësi për ekonominë kosovare, por vetëm shikon se si t’i ngrisë pagat e veta dhe të deputetëve, për popullin nuk qanë dert", tha Ajdini. /Telegrafi/