Site icon Telegrafi

Cili plak vdekka nga koronavirusi?!

“Të rrezikuarit janë pleqtë”, po thuhet gjithandej. Në gojët e çdokujt kjo është shndërruar në një moto që qarkullon me aq lehtësi, thua se të kërcënuar nga virusi famëkeq qenkan vetëm të moshuarit dhe se të tjerëve nuk i ndodhka gjë. Mbase përdoret si mënyrë ngushëlluese (!) për njëri-tjetrin në këtë kohë të mërzitshme.

Pleqtë. Ata qenkëshin të rrezikuar. Kush janë ata, se?

Gjyshi, që dikur të merrte me vete, të shëtiste, të qeraste akullore me ato pak të holla që kishte në xhep, të blinte dhurata e të plotësonte vendin e babait i cili rëndom gjendej në orar pune? I njëjti që hidhte hi në rrugën e acartë të dimrit që të mos rrëshqasë ndokush. Ai është plak, apo?

Gjyshja, që një herë e një kohë të pastronte, të ushqente, të fuste në gjumë me përralla e të mbronte sa herë që prindërit të qortonin? Ajo që kultivoi gjithë ato lule dhe ty të miklonte me emra lulesh? Plakë, apo jo?

E ai xhaxhi komshi që të mirëkuptonte sa herë që bëje zhurmë në lagje duke luajtur me moshatarët e tu, ai që nuk ta ka shpërthyer topin kur binte në oborrin e tij e as kur ia ke thyer padashur xhamin? Edhe ai është vetëm një plak, apo?

Po gruaja e fqinjit që sa herë gatuante pite me petë sillte një copë në shtëpinë tuaj për ty, i përkëdheluri i familjes? Fiks zonja që nuk të kthente duarbosh kur shkoje në orët e mbrëmjes të kërkoje pakëz kafe a çaj se i kishit harxhuar dhe shitoret në afërsi veçse ishin mbyllur? Ndofta edhe ajo është veç një plakë, ë?

Zotëria i vjetër që ecën në qytet gjithmonë pedant me gazetë në dorë? Po pra, ai që dikur kishte qenë arsimtar dhe shkruante libra. S’ka si të cilësohet përveçse plak, apo?
Pensionisti tjetër për të cilin të kishin treguar se qëmoti kishte qenë kirurg dhe të kishte operuar edhe ty kur ke qenë i vogël sa dot s’e mban mend? Domethënë, sot quhet plak?

Berberi tashmë i kërrusur, kasapi i trashë, kafexhiu i mermë, farkëtari me gishtin e lënduar, infermierja e maternitetit… e kush jo tjetër?!

Secili më vete janë rrudhat e ballit të popullit të përvuajtur, janë copëza identiteti të qyteteve, janë dhembja e dhembshuria, janë paraardhësit tanë, gjaku ynë dhe vetja jonë nesër… Ata janë gjithçka, përpos numër statistikor. Cilin nga këta heronj do ta flijonim për përbindëshin Covid-19?

Kujdesi i shoqërisë nga ky virus i shpëton ata. Ky është borxh ndaj tyre. Më i vogli, madje.
Dhe nëse pyetemi rishtas: kush po rrezikohet më së shumti sot? Pa u hamendur do të thosha: ndërgjegjja jonë.

Exit mobile version