Site icon Telegrafi

Cili ishte motivi i rrethit të brendshëm të Hitlerit?

Adolf Hitleri përshëndet turmat, derisa gratë dhe burrat afër tij shikojnë dhe qeshin (foto: Library of Congress/Corbis/VCG via Getty Images)

Nga: Simon Heffer / The Daily Telegraph
Përkthimi: Telegrafi.com

Pse kaq shumë gjermanë e mbështetën nazizmin? Analiza nuk është e nevojshme për të kuptuar se sa shtypës ishte regjimi – që nga momenti kur Hitleri merr pushtetin në janar të vitit 1933: në antisemitizmin e tij të helmët dhe në përcaktimin për të poshtëruar dhe shkatërruar opozitën, të këqijat e tij themelore ishin të dukshme që në fillim. Në këtë libër sipërfaqësor – Njerëzit e Hitlerit [Hitler’s People] – Richard J Evans, njohës i Rajhut të Tretë, analizon ata njerëz të cilët e bënë nazizmin funksional dhe të cilët e ndihmuan të shkaktojë – gjatë një duzine të viteve të tij toksike të sundimit – kaq shumë mjerim.

Libri është sipërfaqësor sepse pjesa më e madhe e përmbajtjes së tij njihet nga kushdo që ka njohuri për këtë kapitull më të errët të historisë së fundit. Fillon me Hitlerin, në një ese të gjatë (një e pesta e librit, duke përjashtuar fusnotat) për të cilin autori thotë se është thelbësor për të kuptuar kultin që drejtonte nazizmin dhe motivimin e anëtarëve të tij. Si hyrje për Fyrerin, është i shkëlqyeshëm, por tregon pak gjëra të reja për të – ndonëse nuk e dija se dizajni i Ferdinand Porschesë për [veturën] Volkswagen bazohej në vizatimet e bëra nga vetë Hitleri.

Në këtë kapitull, dhe në ata që vijojnë rreth krerëve kryesorë të rrethit të Hitlerit (Göring, Goebbels, Röhm, Himmler, Ribbentrop, Rosenberg dhe Speer), Evansi analizon gjendjen shpirtërore të Hitlerit dhe pse kjo e çoi atë në një fanatizëm kaq vrastar, ndërsa pyet se si oborri i tij u bë kaq bashkëpunues në krimet e tilla të tmerrshme – si gjenocidi. Secili kishte arsyet e veta, megjithëse emëruesit e përbashkët duket se ishte zhgënjimi pas armëpushimit të vitit 1918, tendencat themelore antikomuniste dhe antisemite, papunësia dhe gatishmëria për të pezulluar çdo gjykim moral dhe për të bërë pikërisht atë që ai ua kishte thënë.

Ata që mbijetuan aq gjatë sa të kërkonin justifikim në biseda me rrëmbyesit ose në bankën e të akuzuarve në Nuremberg, zakonisht fajësonin dikë tjetër ose pretendonin besimin për bindje të verbër dhe për besnikëri të pavdekshme ndaj Hitlerit. Një ose dy nga ata, si [Heinrich] Himmleri, ishin aq të përhantë saqë mendonin se mund të luanin rol të dobishëm në ndërtimin e Gjermanisë së pasluftës. Sërish, shumë nga këto gjëra janë të njohura për studentët e kësaj lënde, dhe për shkak se shumë nga kasapët ishin të pranishëm në të njëjtat ngjarje, ka elementë të përsëritjes – Evansi duket se nuk ka pasur reagime nga redaktorët e vet.

Por, teksa autori kërkon të hulumtojë figurat e rangut të mesëm të Nazidomit, dhe të të tjerëve edhe më poshtë në zinxhirin furnizues, duket se libri shkon në një territor paksa më të skicuar. [Rudolf] Hessi dhe [Franz] von Papeni ishin, në mënyra të ndryshme, mendje që nuk binin në sy e të cilët u përdorën nga Hitleri si idiotë të dobishëm. Është një ese magjepsës mbi [Reinhard] Heydrichun, organizatorin e Konferencës së Vanzesë në janar të vitit 1942, në të cilën përfundimisht u vulos politika naziste e gjenocidit ndaj hebrenjve. Rezulton se ai ishte i përshtatshëm vetëm për detyrën në SS, meqë në vitin 1931 ishte përjashtuar nga Marina Gjermane e modës së vjetër, për shkak të sjelljeve të pahijshme ndaj një gruaje të re. Ishte gjithashtu violinist i arrirë.

Gjenerali (më vonë Feldmareshali) Wilhelm Ritter von Leeb kishte dalë dy herë në pension, para se të caktohej përsëri për të udhëhequr burrat në Frontin Lindor – pas pushtimit të Hitlerit të Bashkimit Sovjetik në vitin 1941. Ishte i neveritur nga pamja e ekzekutimeve masive të hebrenjve dhe komunistëve, por reagonte se ushtarët gjermanë nuk kanë vrarë gra dhe fëmijë: mirëpo, vranë, dhe neveria e Leebit për këtë, përfundimisht për të tretën herë atë e çoi në pension. Megjithatë, kishte parë se çfarë ndodhte dhe mohonte të kishte luajtur ndonjë rol në këtë. Bashkëfajësia e tij ishte deri-diku e dukshme, dhe ai është njëri nga disa personazhet dënimi relativisht i shkurtër i të cilit me burg (tre vjet) ka tmerruar shumëkënd. Evansi vë në dukje numrin e madh të funksionarëve dhe të figurave të tjera të shquara në Gjermaninë Perëndimore të cilët lulëzuan pas luftës, pavarësisht dosjeve të tyre naziste: ndëshkimi kundër besimtarëve duket se ka qenë rastësi.

Por, më pas, duket se shansi luajti rol alarmant në krijimin e lidhjes midis individëve deri atëherë normalë dhe ekseseve të nazizmit. Karl Brandt, një kirurg i ri i talentuar, depërtoi në rrethin e Hitlerit pjesërisht përmes ambicies së gruas së tij, Anni Rehborn, e cila ishte notare olimpike dhe bukuroshe “ariane” nga e cila tërhiqej Hitleri. Brandt u zhyt gjithnjë e më thellë në botën naziste, derisa nisi të zbatojë atë që në mënyrë eufemiste mund të quhej politikë eutanazie – më saktë vrasje – kundër të sëmurëve mendorë dhe atyre me aftësi të kufizuara fizike, duke filluar nga fëmijët dhe duke kaluar te të rriturit. Kur krerët e kishës shprehën zemërimin e vet, ekspertiza e Brandtit u vu në zbatim për vrasjen e hebrenjve. Edhe ai kaloi në mohim, por të paktën përfundoi në trekëmbësh.

Evansi gjithashtu shkruan për disa gra që iu përkushtuan kauzës: mes tyre Ilse Koch – gruaja e komandantit të [kampit] Buhenvald – e cila i shpëtoi vdekjes; gardiania e kampit, Irma Grese, apo “bisha e bukur e Belsenit” e cila nuk shpëtoi; dhe regjisorja Leni Riefenstahl, reputacioni i dyshimtë i së cilës tashmë duket se është varrosur dhe të cilën autori kërkon përsëri ta dënojë. Në një kapitull përmbyllës, ai përsëri pyet se pse kaq shumë vetë u mashtruan nga Hitleri, dhe përgjigja nuk është e thjeshtë: ai arrin në përfundimin se rruga më e mirë për të kuptuar është të studiosh biografitë e atyre që tërhiqeshin nga iluzioni. Ka të drejtë. /Telegrafi/

 

Exit mobile version