Telegrafi

Cili është pozicioni më i mirë për të lindur?

Ass. dr. Memli Morina, mr. sci
gjinekolog – obstetër
tel. 045 725 725

Konsiderohet se jeni në fazën aktive të lindjes nëse keni së paku dy kontraksione brenda 10 minutave që zgjasin mbi 20 sekonda.

Kur fillojnë dhimbjet e lindjes ju do ta keni shumë më lehtë nëse jeni në lëvizje, pra nëse ecni. Nëse është e mundur ecni ngadalë në dhomë, por kini parasysh se do t’ju duhet energji për fazën e dytë të lindjes. Gjatë kësaj kohe mund të hani dhe të pini.

Për fat të keq, akoma në disa vende tek ne, grave iu imponohet që të qëndrojnë shtrirë dhe iu ndalohet që të hanë e të pinë.

Tashmë dihet se nëse gruaja gjatë lindjes qëndron shtrirë, dhimbjet janë shumë më të forta dhe zgjerimi i kanalit të lindjes është më i ngadalshëm e rrjedhimisht lindja zgjatë më shumë. Për më tepër qarkullimi i gjakut te bebja është më i vështirësuar dhe mund të shfaqen shenjat e vuajtjes së frytit.

Nëse qëndroni vertikalisht dhimbjet janë më të lehta dhe forca e gravitetit i ndihmon bebes që të del më lehtë nga mitra.

Nëse patjetër duhet të qëndroni shtrirë, atëherë kthehuni në krah, sepse nëse qëndroni shtrirë në kurriz, vështirësohet furnizimi i bebes me oksigjen.

Ekzistojnë disa topa të mëdhenj gome. Nëse ju qëndroni ulur në top lindja kryhet më shpejt, foshnja nuk vuan dhe pasi që lëvizja në top i bën masazh perineumit (kanalit të butë të lindjes) çarjet ndodhin shumë më rrallë.

Nëse me ju do të jetë shoqëruesi në lindje (që mund të jetë burri, motra, nëna, një shoqe e juaja), është vërtetuar shkencërisht se rezultatet do të jenë shumë më pozitive si për ju ashtu edhe për beben. Për këtë arsye rekomandohet fuqishëm që shoqëruesi të jetë prezent gjatë lindjes.

/Telegrafi/