Site icon Telegrafi

Cili është pozicioni i Bosnjë dhe Hercegovinës në raport me zgjidhjen e çështjeve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë?

Negociatat midis Serbisë dhe Kosovës me zgjedhjen e presidentit të ri të SHBA-së, Joe Biden, janë rifreskuar në drejtim të njohjes reciproke, dhe çdo zgjidhje përfundimtare, ose ruajtja e situatës aktuale, me siguri do të ketë pasoja të konsiderueshme edhe për Bosnjë dhe Hercegovinën.

Kështu e fillon shkrimin mediumi boshnjak klix.ba, sipas të cilit, politika e administratës së (Donald) Trump ndaj Serbisë dhe Kosovës, e cila bazohej në çështje ekonomike, të paktën muajt e fundit, arriti të ndërmjetësojë në nënshkrimin e marrëveshjes më 5 shtator 2020, me rolin aktiv të përfaqësuesit për dialogun midis Serbisë dhe Kosovës , Richard Grenell.

Siç kujton mediumi në fjalë, ndër të tjera, me atë rast, u ra dakord që Serbia të hiqte dorë nga fushata e tërheqjes së njohjes së pavarësisë së Kosovës për një periudhë prej një viti, brenda kornizës kohore në të cilën Kosova gjithashtu pranoi që nuk do të kërkonte njohje të reja, përcjell Telegrafi.

“Duke injoruar kryesisht çështjet politike, marrëveshja u bazua në projekte infrastrukture dhe bashkëpunim ekonomik me ndihmë të fortë financiare të SHBA-së”.

Dhe gjatë seancës dëgjimore për konfirmimin e emërimit të tij më 19 janar, sekretari i ri i shtetit i Shteteve të Bashkuara, Antony Blinken, vlerësoi pozitivisht marrëveshjen për normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë, që do të thotë se SHBA-ja do të insistojë në respektimin e asaj të nënshkruar më parë.

Sidoqoftë, vlerëson klix.ba, duke pasur parasysh mesazhin e qartë të Biden, Serbia ka të ngjarë të vihet nën presion për të njohur përfundimisht Kosovën, përcjell Telegrafi.

“Pak më pak se dy vjet më parë, ekzistonte një mundësi që ideja për shkëmbimin e territoreve do të rrezikonte të gjitha shtetet etnike heterogjene të Ballkanit në planin afatgjatë. Por me insistimin e BE-së dhe Gjermanisë për pandryshueshmërinë e kufijve në Ballkan, një skenar i tillë i zi u shmang”, shkruan mediumi boshnjak, duke shtuar se marrëveshja e shtatorit dhe largimi i Trump, e larguan atë rrezik në të paktën disa vjet.

Por, vlerëson klix.ba, përveç kësaj, është treguar se kthesat në politikën amerikane janë të mundshme.

“Nga ana tjetër, një propozim i tillë është një mësim i qartë për faktorin politik boshnjak se nuk duhet të ketë ‘tifozllëk’ në marrëdhëniet midis Serbisë dhe Kosovës, sepse, të paktën kështu duket, çdo zgjidhje për këtë çështje mund të dëmtojë interesat e Bosnje dhe Hercegovinës”.

Në pjesën tjetër të shkrimit, klix.ba, thotë se mbajtja e kësaj çështje të pazgjidhur po e mban Serbinë të lirë të ‘shpenzojë’ të gjithë potencialin e saj politik në rajon.

“Ajo me të vërtetë nuk e sheh, as nuk e dëshiron, Kosovën brenda Serbisë. Megjithëse shpesh dëgjojmë se ‘Kosova është zemra e Serbisë’, e vërteta është se Kosova aktualisht është ‘monedha’ më e mirë për tregti, e cila kërkon të fitojë pozicionin më të mirë të mundshëm rajonal”.

Dhe në fund të shkrimit, mediumi në fjalë konsideron se mbetja e situatës aktuale ose njohja e Kosovës nga Serbia, në kontekstin e ndikimit të saj në Bosnjë dhe Hercegovinë, nuk do të ketë të njëjtat pasoja.

Në rast se Shtetet e Bashkuara i bëjnë presion Serbisë, thuhet ndër tjerash në shkrimin e mediumit në fjalë, i ofrojnë asaj koncesione të caktuara, dhe Vuçiq nga ana tjetër njeh Republikën e Kosovës, Serbia do të jetë në gjendje të drejtojë të gjithë energjinë e saj drejt Bosnjë dhe Hercegovinës, domethënë të vazhdojë të minojë stabilitetin e saj, por këtë herë me intensitet më të madh. /Telegrafi/

Exit mobile version