“Shumica e lojtarëve që luajnë në Evropë, kanë deklaruar se do të luajnë për Kosovën kur ajo të pranohet. Sipas rregullores së FIFA-s, ata kanë të drejtë zgjedhjeje.
Ylli i parë duket të jetë futbollisti i Manchester Unitedit, Adnan Januzaj, prindërit e të cilit janë nga Kosova dhe ai ende nuk ka vendosur të luajë me asnjë kombëtare tjetër”, shkruan gazeta prestigjioze, franceze “L’equipe”, sipas të cilës nëse një futbollist si ai që e gjithë bota e cilëson si në hapat e parë të karrierës, pranon të nisë nga zero, pse këtë gjë nuk do ta bënin edhe futbollistët tjerë që tashmë kanë arritur kulmin e karrierës. Se sa e fortë mund të bëhet Kosova sipas mediave të huaja, mund të shikojmë vetëm një ndeshje ndërmjet Zvicrës e Shqipërisë, ku ajo më shumë i ngjason një përballje lokale se sa dy përfaqësueseve të ndryshme.
Valon Behrami, Granit Xhaka, Xherdan Shaqiri, Blerim Xhemaili, Admir Mehmeti e Pajtim Kasami për Zvicrën përballë Etrit Berishës, Shkëlzen Gashit, Valdet Ramës, Agon Mehmetit, Alban Mehës të Shqipërisë. Madje këta nuk janë të vetmit, fanellën e Kosovës mund ta veshin edhe Ermir Lenjani, Burim Kukeli, Armend Dallku, Samir Ujkani, Agonit Sallaj e më i rëndësishmi është Lorik Cana kapiteni i përfaqësueses së Shqipërisë për nder të të cilit, shikuesit e Olimpique Marseille në Francë hapën një transparent të madh në stadium në mbështetje të pavarësisë së Kosovës, pastaj Përparim Hetemaj e Erfan Zeneli që luajnë për Finlandën.
Mirëpo, a do të bëhet kjo realitet apo jo mbetet të shihet në një të ardhme të afërt. Zyrtarët e FFK-së, kanë thënë se do t’iu bëjnë ftesë të gjithëve dhe mbetet të shihet kush do të pranojë e kush jo. Një është e sigurt, këta yje që u përmendën nuk do të ftohen në miqësoren e parë që Kosova pritet ta luajë më 5 mars. /Zëri/Telegrafi/