Site icon Telegrafi

Cilësia e arsimit në Kosovë

Derisa në Shqipëri kryeministri Edi Rama ka kapur në dorë drejtimin e arsimit shqiptar dhe po mundohet të arrijë nivelet evropiane, kjo nuk mund të thuhet edhe për Kosovën. Gjendja e procesit edukativo-arsimor në Kosovë në të gjitha nivelet lë shumë për të dëshiruar, e kjo mund të vërehet lehtë nëse diskutojmë me të rinjtë që janë pjesë e këtij procesi. Që të kemi cilësi në arsim të krahasueshme me vendet perëndimore, duhet ngritur vëmendjen e gjithë shoqëria, sidomos institucionet kompetente si MASHT-i dhe DKA-të në disa pika kyçe si:

Mjedisi mësimor i cili përfshinë përshtatjen e objekteve, materialeve dhe përkrahjes brenda shkollës, çështjet e sigurisë, përfshin nivelin e dhunës që përjetohet brenda shkollës apo rreth saj dhe vështirësitë me të cilat përballen të rinjtë.

Pastërtia dhe mirëmbajtja e shkollës: Problemi kryesor janë tualetet e tejshfrytëzuara për shkak të mungesës së hapësirave për aktivitete sociale për të rinjtë brenda shkollës.

Madhësia e klasës: Kjo ndikon drejtpërdrejtë në uljen e cilësisë së arsimit në vendin tonë, sepse numri i madh i nxënësve në klasë ia pamundëson mësimdhënësit që t’ju kushtojë vëmendje të gjithëve.

Hapësira për mësim joformal dhe hapësira sportive: Të rinjtë janë të interesuar për më shumë mundësi sportive, përfshirë fushëlojat dhe së paku një pishinë noti, orë për komunikim dhe art, klube dhe aktivitete etj. Arsimi joformal është shumë i rëndësishëm sepse iu mundëson nxënësve të zënë njohuri të reja rreth temave të cilat nuk janë pjesë e kurrikulës

Përdorimi i duhanit, drogës dhe dhuna në shkolla: Fuqizimi i rregullave për ndalimin e përdorimit të substancave narkotike domosdo duhet bërë, sepse çdo ditë shtohet numri i nxënëse konsumatorë të tyre. Fakt trishtues është konsumimi i drogave, prandaj duhet krijuar strategjitë që të parandalohet kjo dukuri në rritje.

E, ndoshta pika më e rëndësishme për ngritjen e cilësisë në arsimin kosovar është kualifikimi i mësimdhënësve. Mënyra e kyçjes së tyre në mësimdhënie duhet të jetë puna parësore e Prokurorisë. Nëpër shkollat tona punojnë mësimdhënës të cilët kanë përgatitje profesionale krejtësisht të ndryshme me lëndët që ligjërojnë, prandaj kemi këso raste:

Mësimdhënësi i matematikës nuk di të zgjidhë logaritme nga më të thjeshtat.

Mësimdhënësi i fizikës nuk di të dallojë masën dhe peshën.

Mësimdhënësi i kimisë i noton nxënësit me nota të larta, për arsye se kanë vizatuar mirë sistemin periodik të elementeve kimike.

Mësimdhënësi i biologjisë nuk përdor kurrë as gjethe në orët mësimore.

Mësimdhënësi i gjuhës shqipe përdor fjalë turke dhe serbe e gjuhën standarde e lë në harresë.

Mësimdhënësi i gjuhës angleze nuk di të prezantohet në gjuhën angleze.

Mësimdhënësi i informatikës nuk di çka është kompjuteri.

Mësimdhënësi i muzikës nuk din cilat janë notat muzikore.

Mësimdhënësi i artit figurativ është ekonomist.

Mësimdhënësi i historisë nuk mund ta sqarojë çka është komunizmi.

Mësimdhënësi i gjeografisë më shumë flet për sistemin e tretjes se sa për sistemin diellor.

Mësimdhënësi i edukatës fizike takohet me nxënës vetëm në orën e fundit të gjysmëvjetorit.

Gjenerata të shumta dëmtohen nga kjo neglizhencë e institucioneve kosovare dhe në këtë drejtim mbesim shumë mbrapa nga bashkëmoshatarët tanë të vendeve evropiane.
 

Exit mobile version