Telegrafi

Cilat janë masat që SHBA po i vlerëson për të zbatuar kundër Kinës për dëmet e shkaktuara nga COVID-19

Zyrtarë të ndryshëm amerikanë, përfshirë vetë presidentin Donald Trump, siguruan në javët e fundit se Kina duhet të paguante dëmet e shkaktuara nga pandemia e coronavirusit, kryesisht për dy arsye: fakti që ajo kishte origjinën në vend; dhe se mungesa e transparencës nga ana e regjimit i ndaloi vendet e tjera të miratonin masa që mund të kishin lehtësuar ndikimin e saj.

Në një artikull të botuar këtë të enjte, Washington Post raporton se zyrtarë të lartë amerikanë janë duke vlerësuar një hakmarrje të mundshme për Pekinin.

Ky informacion u konfirmua për gazetën kryeqytetase nga katër zyrtarë të lartë të administratës Trump, në kushte anonimiteti, transmeton Telegrafi.

Sipas këtyre burimeve, Trump dhe rrethi i tij i brendshëm kanë shikuar mundësinë e heqjes së Kinës nga “imuniteti sovran” i saj, duke lejuar kështu Qeverinë apo edhe viktimat e COVID-19 të padisin gjigantin aziatik “për dëmet e shkaktuara”.

George Sorial, i cili aktualisht është i përfshirë në një padi kundër Kinës, zbuloi për Washington Post se ai dhe zyrtarë të lartë të Shtëpisë së Bardhë e kanë adresuar këtë çështje. Sidoqoftë, ekspertët ligjorë kanë treguar që heqja e Pekinit nga imuniteti i tij sovran, “do të ishte jashtëzakonisht e vështirë për t’u realizuar” dhe mund të kërkonte legjislacion nga Kongresi.

Për më tepër, disa zyrtarë kanë diskutuar gjithashtu mundësinë e Shteteve të Bashkuara që të anulojnë një pjesë të detyrimeve të borxhit të saj ndaj Kinës, megjithatë nuk dihet nëse Trump e mbështet këtë ide.

Ndërkohë, zyrtarë të tjerë kanë paralajmëruar presidentin ditët e fundit, se “kjo nuk është koha e duhur” për të miratuar masa të këtij lloji. Sidoqoftë, një nga këshilltarët kryesorë të Trump pranoi se “ndëshkimi i Kinës është duke u menduar në kokën e Trumpit”.

Të hënën e kaluar, presidenti i Shteteve të Bashkuara sugjeroi se ai mund të kërkojë që Kina të paguajë miliarda dollarë për dëmin e shkaktuar nga pandemia, e cila kishte origjinën në qytetin e Wuhan.

“Ne nuk jemi të kënaqur me Kinën. Ne nuk jemi të kënaqur me të gjithë situatën, sepse besojmë se ata mund ta kishin ndaluar atë”, tha ai nga Shtëpia e Bardhë.

Jared Kushner , dhëndër dhe këshilltar i Trump, pranoi në orët e fundit se “presidenti po kërkon mundësi për të ndëshkuar ata që janë përgjegjës për dëmin që virusi ka shkaktuar në Shtetet e Bashkuara”. /Telegrafi/