Site icon Telegrafi

Cilat harta i ka përdorur Komuna e Pejës në planet zhvillimore?

Përderisa AAK-ja, e cila kishte qeverisur me Pejën dy mandate është shumë aktive politikisht për rikthimin e komunave të Dukagjinit përmes kësaj kauze, LDK-ja dhe kryetari i tashëm i Pejës, Gazmend Muhaxheri, po rrinë shumë të heshtur.

Qyteti i Pejës ishte qeverisur prej vitit 2000 deri më 2007 nga Ali Lajçi, dikur i LDK-së, kurse tash pjesë e AAK-së.

“Dikur edhe Lajçi ishte pjesë e grupeve punuese për demarkacionin. Ai vetëm këtë vit, për interesa politike, ka filluar të kundërshtojë. Ne ia kemi lënë tërë rrugën hapur për të përfituar politikisht”, thotë një burim i ORAinfo brenda LDK-së në Pejë, që shton se në planet zhvillimore lokale, sa ishte i pari i Pejës, Lajçi asnjëherë nuk e kishte përfshirë zhvillimin e territorit të Pejës deri në Çakorr dhe Kullë, siç po pretendon tash se është territor i Pejës.

“Komuna e Pejës, edhe në qeverisjen e Ali Berishës së AAK-së kishte përpiluar plane zhvillimore lokale. Duke qenë të vetëdijshëm se ajo pjesë nuk është territor i Pejës, as ky nuk e kishte paraparë për zhvillim brenda territorit të Pejës, Çakorrin e Kullën. Prandaj, përkundër këtyre fakteve që Gazmendi i dinë shumë mirë, ai ia ka lënë rrugën hapur AAK-së dhe liderit të saj, Ramush Haradinaj, që të përfitojnë politikisht prej banorëve të zonës kufitare, që njihen si votues të tij”, thotë ai, trasmeton Orainfo.

Sipas tij, për këtë situatë të krijuar më së shumti përgjegjësi ka Ali Lajçi dhe Ali Berisha nga AAK-ja, derisa për sqarimin e tërë kësaj situate ka përgjegjësi edhe kryetari i tashëm.

Komuna e Pejës, hartat e përdorura për demarkacion i përdor në planet zhvillimore – me sipërfaqen e Komunës së Pejës prej 603km2, që nga viti 1974. Gjithashtu, edhe në ueb-faqen zyrtare të kësaj komune ka qenë dhe është harta e Komunës së Pejës me kufirin që është nënshkruar si marrëveshje ndërshtetërore mes Kosovës dhe Malit të Zi, pa përfshirë Çakorrin dhe Kullën.

Gjithashtu, edhe parku nacional i Rugovës, i shpallur me ligj të veçantë, i mbështetur edhe nga komuna e Pejës, nuk ka shtrirje deri në Çakorr dhe Kullë. /ORAinfo/

 

Exit mobile version