Nga: Aurel Plasari
Në parim, një pyetje e tillë konkurruese nuk duhet bërë, për cilindo element të një kulture. Por, parathënia e Cuk Simonit për Pinokun, të përkthyer prej tij dhe të botuar për së pari më 1935 në Shkodër, mund të cilësohet me të vërtetë “e pakundshoqen”, siç thuhet në gegnishte.
Dhe, kujtoj kohën kur më është dashur edhe mua të shkruaj parathënie me nga 10, 20 ose edhe 30 faqe për të justifikuar botimin e një vepre “të huaj”, pranimin e një autori “të huaj”. Ç’kohë e mjerë!
Përkthyesi Cuk Simoni sot duket emër i harruar. Ndërsa nuk është e drejtë që të harrohet.
***
PARATHANlE
Ndodhesha në Bari dhe më në fund do të nisesha për Shqipni. Mbasi qysh paradite i kisha krye të gjitha punët e mia, tue mos pasë se çka me ba, zuna me u endë nëpër rrugët ma të para të qytetit, tue u ndalë me shikue ndër xhamat e dyqaneve.
Kur para njanit ndër këta dyqanë më ndodhi diçka që nuk e pritsha. Unë po shikoja n’atë xham nji fëmijë nj’a nji gjysëm metri të gjatë, me një kësulë me majuc në krye; me nji xhaketë të shkurtën prej nga dilnin dy krahë … druje; me nji palë pantallona, ku rrinin krejt lirshëm dy kambë shum-shum të holla, edhe ato … druje. Nji hundë, mandej, e gjatë, me thanë, nji pëllëmbë … ! Fundi i punës, Pinoku vetë! Kambë e krye! Ndeja tue e shikue me andje, se m’u kujtue fëminia. M’u duk si me ndeshë në nji fytyrë të njoftun ç’prej kohësh, në nji fëmi të dashtun. Më në fund desha me kalue. Por, kur isha tue u largue, m’u duk se po më shikonte edhe ai mue e bile se po më lonte synin. E ve re ma mirë dhe po shoh se po bante buzën në gaz e po më bante me krye si me dashtë me thanë: “Eja mbrendë”. Unë ma nuk u mata aspak, por çela derën e dyqanit dhe hyna mbrendë.
– Ma fal ta shoh njat buratin që keni qitë në xham, – i thashë shegertit që më duel para. Me të shpejtë ky e hoqi prej xhami e ma dha në dorë.
Unë e mora dhe e pështeta mbi banak.
Pinoku më shikoi edhe nji herë, qeshi prap e mandej, pa ba as nji as dy, po kacaviret tek unë tue u kapë me njanën dorë për kravate e me tjetrën për hunde e tue ma afrue gojën te veshi; po më thotë me za t’ulët:
– Due me ardhë me ty në Shqipni!
– Me mue?
– Po, po, due me ardhë! – ja bani prap, tue i shkrepë ato kambë druje për banak e tue ja nisë vajit.
Nuk e çova ma gjatë, tue mos dashtë me ba potere n’atë dyqan. Pagova paret e dola me Pinok nën krah.
– E ke gabim, more Pinok, – zuna me i thanë mandej rrugës, – ti nuk ke përse vjen në Shqipni, kanë për me të marrë për lojë, nuk kanë me të kuptue e nuk kanë me të dashtë.
– Jo, jo, e ke gabim ti! Ku dini ju të mëdhenjtë me i kuptue fëmijët! Na dijmë me marrë vesht shoqishojnë. Ma len mue, ti! Unë kam përshkue mbarë botën, – vijoi mandej, – e gjithë kund më kanë pritë me krahë hapët. Shqipnia vetëm më ka mbetë pa e pa: due me ba miqësi edhe me shqiptarët e vegjël.
– Po mirë, po kush ta mëson ty shqipen që m’u marë vesht me fëmijët shqiptarë? – i thash.
– Ti! – ma priti ai me të shpejtë.
– Unë!? …
– Ti, po; pse po çuditesh?
– Unë nuk mundem, – i them, – pse nuk jam i degës; unë nuk jam mësues.
– Ti, ti do t’ma mësosh shqipen …
Si Pinoku ma! I ishte ngulë mëndja ashtu e s’ishte punë me luejtë. Prandaj nuk i bana ma za, tue mendue se si ta kisha shti në Shqipni, kisha për t’ja porositë e dorëzue ndokujt që mirret me këso punësh.
Kështu mendoja unë, por … s’mendonte kështu Pinoku. Ishim dy mendimesh.
E njimend, kur u ktheva në vend tim e dhash’ e mora për sa ditë me ja mbushë mëndjen me hy në dorë të tjerëve, s’qe send me ndigjue, por donte medoemos që t’ja mësoja unë shqipen.
– Ç’ka me ba!
Unë qyshkur e doja fort Pinokun, e nuk më bante zemra me e lanë mënjanë. E mbasi dashnia asht e fuqishme, ma e fuqishme se çdo gja tjetër, m’u desht doemos me ja çue dëshirën në vend.
A don atëhere me hy e me ja mësue gjuhën … vetes! Sepse mendoja se gjuha që di unë nuk mund të bante për Pinokun, mbasi për të duhej nji gjuhë e goditun, e hollueme, lypej gjuha letrare. Bleva gramatikë, fjaluer e libra leximi dhe u vuna me mësue si t’isha ngjitë në shkollë.
Mbas nji kohe mjaft të gjatë, m’u mbush mëndja se isha pjekë për me iu ba mësues Pinokut. Edhe hoqa çka hoqa, në fund munda me ja shti në krye çka pata mësue vetë.
Ishin mbledhë nji ditë n’oborr të shtëpisë disa fëmijë e po luenin s’di se çfarë loje. – Shko edhe ti poshtë, – i them Pinokut – shko e luej edhe ti me ta n’oborr!
Ngurroi nji herë, më këqyri mue, këqyri fëmijët tue luejtë e mandej hapi derën, për shkallësh e fill në mes të tyne. Ata lanë menjiherë lojën tue e rrethue të gjithë Pinokun, si t’ishte shoku që e pritshin ç’prej shumë kohësh. Dikush i thote nji fjalë, dikush nji tjetër, por po shoh prej dritares se Pinoku po i hapë sytë si nji njeri që nuk kupton. Diçka flet edhe ai, por duket se tjerët nuk po e marrin vesh.
Në fund Pinoku ia plasi të qamit; njitet nalt e, tue fërkue sytë me gishta, më thotë:
– Unë nuk mirrem vesht me ta! Çfarë gjuhe më paske mësue ti?
– Eh, i varfëri unë! – thashë me vete, – po tash si me ja ba?
– Me më mësue gjuhën e atyne fëmijëve! – ma priti ai.
– Po mirë veç, – thashë me vete: – Mbasi i hypa këtij kali, më duhet domosdo me e ndigjue.
E mbasi e pashë se në gjuhë letrare nuk kisha mësue gja, hyna me ja mësue gjuhën që flitej.
Ky mësim i dytë nuk m’erdhi i vështirë e për pak dit’ munda ta kryej.
Si u mblodhën prap nji ditë tjetër ata fëmijë n’oborr, e bashkova Pinokun me ta e unë ndenja si mënjanë për me pa si shkonte puna.
Ai u miqësue menjiherë me të gjithë! Pinoku fol’ e ata qesh, Pinoku ban laradasha e ata shpërtheju në gaz, Pinoku nga dhe ata mbrapa! Kur, pa u kujtue askush, hapi derën e oborrit, duel jashtë e u lëshua në pikë të vrapit.
– Kapnie, kapnie, pse ka petkat të shkyeme! – u bërtas atyne fëmijëve.
– Po … ec e kape! …
Përkthyesi