Pesë mysafirë nga institucione të ndryshme diskutuan mbrëmë në ‘Click plus’ të Tv 21 për trashëgiminë kulturore të shqiptarëve në Maqedoni. Cila është dhe sa ruhet trashëgimia kulturore e shqiptarëve të Maqedonisë?
Skender Hasani, drejtor i institutit për trashëgimi kulturore bisedën e filloi me një detaj të rëndësishëm sipas tij, siç është mungesa e një teksti shkollorë, i cili do të edukonte fëmijët që në fillore për trashëgiminë kulturore. Por edhe pranon se trashëgimia e shqiptarëve në këto treva nuk është studiuar sa duhet.
“Kjo trashëgimi e begatshme e shqiptarëve në këto treva nuk është studiuar për shkak se nuk ka pasur institucione të mirëfillta dhe shqiptarët gjithnjë kanë qenë nën okupimin e ndonjë shteti apo ndonjë force tjetër që ka ardhur prej diku”, tha Skender Hasani, drejtor i institutit për trashëgimi kulturore.
Për këtë çështje dhe disa të tjera profesori Mixhail Pollozhani, u kujdes që institucionet në rolin e fajtorit të mos i lërë jashtë bisedës. Duke thënë se mos studimi i trashëgimisë vjen edhe me vet faktin që ka mungesë kuadri.
“Ne kemi akoma djem të rinj, të cilët qëndrojnë të papunë ose presin dhe t’i vendosë në ato institucione, sepse arkeolog nuk mund të krijohet brenda natës, por krijohet me vite”, tha Mixhail Pollozhani, profesor i historisë së artit në USHT.
Ky pohim u pranua edhe nga Sekretari shtetërorë në Ministrinë e Kulturës. Ndërsa për mungesën e një teksti që do të përdorej që në fillore për të mësuar nxënësit për trashëgiminë kulturore, ai nuk dha një përgjigje konkrete.
“ Këto probleme nuk zgjidhen brenda natës. Dhe sot është një situatë krejt tjetër nga ajo që ka qenë para 10 vjetëve”, u shpreh Behixhudin Shehapi, Sekretar Shtetërorë Në Ministrinë E Kulturës.
Për Izaim Myrtezani, nga Instituti i Folklorit Në Shkup nga mosdhënia e kujdesit të duhur, zbulimit, menaxhimit dhe ruajtjes së artefakteve, detaje të rëndësishme mund të humbasin. Por ai ceku edhe një çështje tjetër.
“ Është hapur katedra e antropologjisë kulturore dhe askush nuk është paraqitur. Këtu kemi dështuar të gjithë ne, por kanë dështuar edhe mediet”, tha Izaim Myrtezani, Instituti i Folklorit Në Shkup.
Teologu Afrim Tairi gjatë minutave të emisionit përmendi tolerancën fetare të shqiptarëve si një nga virtytet me të mëdha. Por edhe rrezikimin e disa vlerave nga globalizmi.
“Për këtë unë kam propozuar që duhet të kemi një këshill të përbashkët për të pasur qëndrime të unifikuar dhe programe strategjike për të parandaluar rrezikimin e vlerave tona fetare”, shtoi Afrim Tairi, teolog.
Mysafirët harmonizuan mendimet e tyre se globalizmi është një kërcënim për vlerat kulturore, fetarë dhe historike dhe se duhet të bëhen përpjekje më të mëdha për ruajtjen e këtyre të fundit. /Telegrafi/