Telegrafi

Çiklistëve në “Tour of Kosova” do t’u llogariten pikët nga Federatën Ndërkombëtare e Çiklizmit

Gara e sivjetme e çiklizmit, “Tour of Kosova”, do të mbahet më 26 korrik deri më 28 korrik në tri etapa të ndryshme. E veçanta e këtij edicioni është se për herë të parë garuesve që marrin pjesë në këtë garë u llogariten pikët në Federatën Ndërkombëtare të Çiklizmit (UCI).

Kështu bëri të ditur kryetari i Federatës të Çiklizmit të Kosovës, Avni Nuha, në një konferencë për media në prag të edicionit të sivjetmë “Tour of Kosova”, ku tha se do të marrin pjesë 12 ekipe me nga shtatë çiklistë.

Ai bëri të ditur se shuma totale e çmimeve që do të ndahet do të jetë rreth 5.000 euro. Nuha kërkoi që vitin e ardhshëm MKRS të ndajë një buxhet të posaçëm pasi u shpreh se kjo ngjarje do të jetë e kushtueshme.

“Do të marrin pjesë mbi 12 ekipe me nga 7 çiklistë. Ne jemi të kënaqur si organizatorë dhe i mirëpresim ata që i janë përgjigjur pozitivisht ftesës. Më 26 korrik fillon etapa e parë në Shkabaj dhe do të përfundoj në Duhël. Të gjitha shtigjet do të jenë në autostradë e cila do të jetë tërësisht e bllokuar”, tha ai.

Nënkryetari Rafet Azemi tha se vijnë shumë ekipe nga jashtë edhe prej atyre vendeve që ende nuk e kanë njohur shtetin e Kosovës. Ai u shpreh se beson që çiklistët do të japin maksimumin e tyre.

“Federata e Çiklizmit të Kosovës e mbështetur nga Ministria e Kulturës Rinisë dhe Sportit organizon ‘Rrethin e Kosovës 2019’ në çiklizëm. Këtë vit është edicioni i 19-të i kësaj gare dhe për herë të parë ka edhe licencën e garës ndërkombëtare nga shtëpia botërore e Çiklizmit UCI. Ky është aktiviteti më i rëndësishëm i Federatës së Çiklizmit të Kosovës dhe këtë vit do të mirëpresë, përveç çiklistëve kosovar rreth 12 ekipe nga vendet e ndryshme të Evropës e botës të cilët na nderuan me pjesëmarrjen e tyre për të garuar në Rrethin e Kosovës në Çiklizëm. Kjo garë përveç promovimit të sportit të çiklizmit, frymës sportive ndërmjet vendeve, promovon kulturën, traditën dhe mikpritjen kosovare. Falënderoj të gjithë partneret për përkrahjen dhe ndihmën në realizimin e këtij aktiviteti dhe ju uroj sukses të gjithë pjesëmarrësve duke shpresuar që aktiviteti më i madh i çiklizmit në Kosovë të ndiqet nga të interesuarit!”, thuhet në një deklaratë të presidentit të Federatës së Çiklizmit të Kosovës, Avni Nuha.