Site icon Telegrafi

Çiklistët që përdorin celularë në Japoni gjatë kalërimit mund të përfundojnë në burg

Japonia ka prezantuar një ligj të ri sipas të cilit çiklistët mund të dënohen me gjashtë muaj burg për përdorimin e celularit gjatë vozitjes.

Ata që shkelin ligjin e ri të qarkullimit rrugor gjobiten pak më shumë se 600 euro, por nëse marrin gjobën maksimale do të qëndrojnë pas hekurave për gjysmë viti.

Numri i aksidenteve që përfshijnë çiklistët filloi të rritet në vitin 2021, pasi më shumë njerëz përdorin biçikleta në vend të transportit publik. Arsyeja për këtë është pandemia e coronavirusit dhe autoritetet tani po përpiqen të rregullojnë ligjet për të zgjidhur problemin.

Përveç përdorimit të celularëve gjatë ngasjes së biçikletës, ligji i ri do të sanksionojë edhe çiklistët nën ndikimin e alkoolit dhe dënimi ndryshon nga një gjobë prej rreth 3000 euro deri në tre vjet burg, shkruan bbc.

Vetëm pak orë pas hyrjes në fuqi të ligjit, tashmë janë shënuar pesë shkelje, mes të cilëve dy çiklistë në gjendje të dehur. Njëri prej tyre është përplasur me një tjetër çiklist, por nuk ka të lënduar.

Në Japoni, vitin e kaluar janë regjistruar 72 mijë aksidente me biçikleta, që është rreth 20 për qind e të gjitha aksidenteve të trafikut në këtë vend.

Në gjashtëmujorin e parë të këtij viti ka humbur jetën një person, ndërsa 17 persona kanë mbetur të lënduar rëndë nga aksidentet me biçikleta që kanë ndodhur për shkak të përdorimit të celularit. Ky është numri më i lartë që nga viti 2007 që policia filloi të mbajë të dhëna.

Midis 2018 dhe 2022, ka pasur 454 aksidente për shkak të çiklistëve që përdorin telefonat celularë, një rritje prej 50 për qind krahasuar me periudhën e mëparshme pesëvjeçare.

Rregullat e fundit vijnë në një kohë kur një sërë rregullash sigurie po futen për të mbrojtur sigurinë e çiklistëve dhe këmbësorëve. Helmetat e biçikletave janë të detyrueshme që nga viti i kaluar dhe në maj parlamenti japonez miratoi një ligj që lejon policinë të gjobisë çiklistët për shkelje të trafikut. /Telegrafi/

Exit mobile version