Sokol Cikalleshi do të jetë pjesë e Superligës turke edhe për sezonin e ri, pasi edicionin e kaluar ra nga liga me skuadrën e Osmanlisporit.
Siç ishte lajmëruar edhe ditën e martë nga mediat turke, sulmuesi i Kombëtares shqiptare ka nënshkruar ditën e sotme (e mërkurë) për skuadrën e Goztepes.
Te klubi i ri, sulmuesi shqiptar do të qëndrojë për një sezon në formë huazimi, transmeton Panorama Sport.
Ky ishte vendim i skuadrës së Osmanlisporit, që nuk donin ta shisnin, por vetëm ta huazonin në elitë për këtë sezon.
Cikalleshi shënoi tetë gola në 29 ndeshje, në sezonin e kaluar dhe tashmë te Goztepe kanë shpresa të mëdha për kavajasin, për të qenë një pikë referimi në sulmin e tyre.
Para se të shkonte te Osmanlispori, 28-vjeçari në ligën turke u transferua nga Istanbul Basaksehir, nga ku për një sezon u huazua te Akhisar Belediyespor.
Ndërsa jashtë Shqipërisë ka luajtur edhe në Korenë e Jugut (Incheon United FC) dhe në Kroaci (Split).