Kombëtarja shqiptare po vijon përgatitjet për dy ndeshjet miqësore që do të zhvillojë më 5 qershor ndaj Uellsit në udhëtim, ndërsa tri ditë më vonë ndaj Republikës Çeke, po ashtu në udhëtim.
Ekipi ka udhëtuar ditën e martë drejt Cardiffit, me grupin që ka zhvilluar të martën pasdite një seancë të lehtë stërvitore.
Në prag të ndeshjes me Uellsin, në një konferencë zyrtare për mediat ka folur edhe Sokol Cikalleshi. Sulmuesi shqiptar, i cili ka zhvilluar një sezon mjaft të mirë në Turqi me ekipin e Konyaspor, ka folur edhe për të ardhmen e tij, transmeton faqja e FSHF-së.
“Kam edhe një vit në kontratë me Konyaspor, kam mbyllur një sezon të mirë. Do ta respektoj kontratën deri në fund”.
“Patjetër që në momentin që do të ketë ndonjë ofertë më interesante, unë do ta shqyrtoj me detaje. Deri tani është herët për të folur për transfertat”.
“Të bëjmë më të mirën këtu në Kombëtare, pastaj kemi disa pushime. Në momentin që vijnë gjëra më të mira, unë do t’i shqyrtoj patjetër”, ka deklaruar Cikalleshi. /Telegrafi/