Telegrafi

Çifti qëndron 6 orë në pishinë për t’u shpëtuar flakëve që kishin rrethuar shtëpinë (Foto/Video)

Një çift i martuar ka qëndruar gjashtë orë në pishinë për tu shpëtuar flakëve që dogjën shtëpinë në Kaliforni. 65-vjeçarja Jan Pascoe dhe bashkëshorti i saj John, 70 vjeç, ishin në banesën e tyre në Santa Rose të dielën mbrëma, kur vunë re tymin që shkonte në drejtim të shtëpisë së tyre.

I shqetësuar, por jo në panik, John vendosi që të dilte nga shtëpia pasi të kishte marrë me vete disa sende të çmuara të trashëguara nga nëna e tij si dhe disa piktura të realizuara nga ai. Të gjitha i vendosi në makinë që t’i ruante me kujdes.

Natën vonë ata marrin një telefonatë nga bija e tyre, e cila jeton në San Francisco, duke u thënë për zjarrin e fuqishëm që ka përfshirë Kaliforninë si dhe të largohen nga aty sa më shpejt.

Kur vendosën që të arratiseshin nga banesa, Jan ka parë nga dritarja dhe është tmerruar kur ka vënë re flakët të përhapura kudo. “Pashë nga dritarja dhe gjithçka kishte marrë flakë. I thashë John-it që duhej të dilnim nga aty”, tha 65-vjeçarja për “LA Times”.

Kanë marrë menjëherë macen e tyre 17-vjeçare dhe kanë tentuar që të shkonin te makina e tyre “Mercedez Benz”, por rruga ishte e bllokuar dhe janë detyruar që të kthehen.

Duke menduar se si të shpëtojnë, janë hedhur te pishina e fqinjëve duke qëndruar plot gjashtë orë. Për të qëndruar paksa ngrohtë kanë ndenjur të përqafuar me njëri-tjetrin dhe kanë folur për dashurinë e tyre dhe të familjes, transmeton shekulli.

Çifti fatmirësisht shpëtoi, por macja e cila u largua nga aty ende nuk është gjetur. Ndërsa shtëpia bashkë me të gjitha gjërat që mbante brenda është djegur e tëra.