Pandemia e coronavirusit është bërë tema kryesore në mbarë botën dhe pothuajse nuk ka vend që kjo sëmundje të mos jetë përhapur dhe çrregulluar jetën e të gjithëve, dhe nuk është për t’u çuditur sesi fjala COVID-19 dhe epidemi po shqiptohen më së shumti nga njerëzit.
Megjithatë edhe pse nuk kanë kaluar shumë muaj që kur kjo sëmundje u shfaq, termat që janë përmendur aq shumë kanë filluar njerëzve t’iu shërbejnë si inspirim për t’ua vënë foshnjave të tyre të porsalindura, transmeton Telegrafi.
Një çift nga qyteti Raipur në Indi ka vendosur që binjakët, vajzë dhe djalë t’i pagëzojë me emrat Corona dhe COVID.
”Kur personeli mjekësor filloi t’i thërrasë Corona dhe COVID, vendosëm t’i pagëzojmë me këta emra”, ka thënë e ëma 27-vjeçe, duke shtuar se ekziston mundësia që më vonë t’ua ndryshojnë emrat.
Por ky nuk është rasti i vetëm në botë që nga pandemia e coronavirusit po gjejnë frymëzimin për raste të tilla. Anamaria Jose Rafael Gonzales, 34-vjeçe nga Meksika, ishte infektuar me COVID-19 kur në jetë solli djalin dhe vajzën gjatë 27 marsit.
E duke marrë parasysh rrethanat, vendosi t’i pagëzojë me Corona dhe Virus. /Telegrafi/