Site icon Telegrafi

Çifti në SHBA në shok, pasi banka ia depoziton aksidentalisht 50 miliardë dollarë në llogari

Një burrë dhe një grua nga Luiziana mbetën të habitur këtë muaj kur e kuptuan se 50 miliardë dollarë ishin depozituar aksidentalisht në llogarinë e tyre familjare, sipas raporteve të dielën.

Sipas medieve të huaja, përcjell Telegrafi, gjithçka ndodhi më 12 qershor kur Darren James, me të arritur në shtëpi, e mori njoftimin nga gruaja e tij, e cila ia dëshmoi atë që dukej se ishte një depozitë për një shumë të madhe parash.

“Reagimi i parë ishte se: nga dolën këto para?”, tha James të dielën.

“Dhe gjithçka që ne po mendonim ishte se kush do të na trokasë në derë, sepse nuk e njohim askënd të afërt me këtë lloj shume”, ka potencuar ai.

Familja menjëherë kontaktoi bankën Chase, për të kërkuar sqarim – deklaroi babai i dy fëmijëve.

James, i cili më parë ka punuar si një oficer i zbatimit të ligjit për Departamentin e Sigurisë Publike në Luiziana, tha se ai kurrë nuk mendoi që t’i mbante paratë.

“Ne e dinimin që nuk ishin tonat. Ne nuk i fituam ato, kështu që nuk mund të bënime asgjë me to”, vuri në dukje James.

Banka Chase e korrigjoi gabimin katër ditë më vonë.

“Ne patëm një defekt teknik mbi një javë më parë, duke hasur në probleme në një numër të kufizuar llogarish”, tha një zëdhënës i kompanisë të hënën.

“Çështja është zgjidhur dhe ato llogari tani i kanë bilancet e sakta”, thuhet më tej në deklaratë. /Telegrafi/

Exit mobile version