Site icon Telegrafi

Çifti martohet në shoqërinë e peshkaqenëve

Në muzeun Atlantis Marine World në Long Island të New Yorkut çifti ishte veshur me veshje zhytësish dhe u futën në një kafaz të çeliktë e më pas u lëshuan në pishinën e mbushur me peshkaqenë. Edhe pse kjo tingëllon si ekzekutim, në fakt ata dy po martoheshin.

Nusja kishte të veshur një kostum të bardhë zhytjeje, ndërsa dhëndëri ishte me kostum të zi. Çifti shkëmbeu një “Po” nëpërmjet mikrofonave të instaluar në kostumin e zhytjes.

Nëna e nuses nuk ishte e lumtur me këtë ide, sepse siç tha, shqetësohej se uji do t’ia prishte frizurën nuses, por 27-vjeçarja April ashtu si edhe burri i saj Michael kanë shpirt aventuristësh, kështu që kjo nuk i ndaloi ta bëjnë këtë zgjidhje të pazakontë.

Nëse mendoni se kjo është martesa e parë e këtij lloji, gaboheni. Zëdhënësja e muzeut Atlantis Johanna Zucaro tha se deri më tash janë martuar katër çifte në këtë mënyrë. /Telegrafi/

Exit mobile version