Telegrafi

Çifti Martin në Festivalin Ndërkombëtar “Incontri Teatrali”

“Çifti Martin”, sipas Eugene Ionescos, në regji të Bekim Lumit, me aktorët Astrit Kabashi dhe Gresa Pallaska, ka pasur premierën me datë 29 Nëntor 2008 në Teatrin Kombëtar të Kosovës. Nga kritika kosovare kjo shfaqje ka marrë vlerësime shumë pozitive. Deri më tash, kjo shfaqje ka pasur 15 repriza dhe është prej shfaqjeve më të vizituara nga publiku.

“Incontri Teatrali”, konsiderohet si njëri prej festivaleve të rëndësishme teatrore në Evropë, që, ndër të tjera, fton edhe producentë teatrosh dhe menaxherë të shumtë festivalesh nga vende të ndryshme të Evropës.

Kjo ftesë për pjesëmarrje në këtë festival ndërkombëtar, në adresë të Teatrit Kombëtar të Kosovës, është e para mbas gati 8 vitesh, pa llogaritur këtu pjesëmarrjen e TKK në festivale regjionale.