Site icon Telegrafi

Çifti irlandez nuk mbajnë lotët ndërsa ribashkohen me djalin, të cilin si foshnjë “ia kishin dhënë” një familjeje spanjolle

Një çift irlandez u ribashkuan me djalin e tyre, pasi ai iu dha një familjeje spanjolle si fëmijë nga një agjenci katolike e birësimit – me gjithë faktin se u ishte thënë se ai do të kthehej pasi prindërit e tij të rinj të ishin më të qëndrueshëm financiarisht.

Sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, Phyllis dhe Kevin Haran, nga County Clare, kanë kaluar më shumë se dyzet vjet në kërkim të fëmijës së tyre të parë Sean dhe u emocionuan kur më në fund e panë përsëri.

Çifti ra në dashuri si adoleshentë në Irlandë në vitet 1970 por Phyllis shpejt mbeti shtatzënë dhe, në dijeni të skandalit që do të shkaktonte, çifti iku nga komuniteti i tyre katolik dhe udhëtoi për në Angli.

Por në Londër, pronarja e tyre zbuloi se po mbanin një foshnjë në banesën e tyre dhe u dha më pak se 24 orë për të dalë nga aty – kështu, të pastrehë, të papunë dhe të dëshpëruar për të vënë interesat e djalit të tyre në radhë të parë, ata ranë dakord përmes një agjencie për ta vendosur atë në kujdes të një familje, me mundësinë e rikthimit kur ata të ishin më të qëndrueshëm financiarisht.

Kështu, rreth dy muaj më vonë, me punë të sigurta dhe një banesë, ata shkuan për të marrë fëmijën e tyre.

Mjerisht, agjencia ndjeu që foshnja duhet të qëndronte me prindërit spanjollë, të cilët ishin të martuar dhe më të qëndrueshëm financiarisht, dhe pasi çështja shkoi në gjykatë, një gjykatës ra dakord me vlerësimin e agjencisë.

“Ne e donim atë dhe nuk donim që ai të birësohej, kurrë nuk donim që ai të birësohej. Ai ka humbur për ne dhe ne duam që ai të kthehet”, ka thënë Kevin.

“Ishte shumë e vështirë që të hiqja dorë nga ai, por mendova se do ta kthenim përsëri”, tha Phyllis, i cili më vonë kishte tre fëmijë të tjerë me Kevin.

Çifti u martua dhe kishte më shumë fëmijë para se të kthehej në Irlandë, por fatkeqësisht, në vitin 2008, ata humbën djalin tjetër Ryan, i cili gjeti vdekjen në një aksident trafiku, si 24 vjeç.

Duke folur për Sean, Kevin tha: “Ne ende duhet ta gjejmë atë dhe të zbulojmë se ai është i lumtur dhe se dashuria jonë për të do të ekzistojë gjithmonë. Edhe nëse nuk e takojmë kurrë do të jetë gjithmonë aty për të”.

Siç bëhet e ditur, ka qenë një emision televiziv ai që zbuloi se emri i Sean ishte ndryshuar në Ruben Molinero dhe ai tani po jetonte në një qytet të vogël malor në perëndim të Madridit si anëtar i ekipit elitar të shpëtimit malor të Spanjës.

Ai ishte transferuar në Spanjë kur ishte katër vjeç me prindërit e tij birësues dhe tani jeton me gruan dhe djalin e tij 11 vjeç, përcjell Telegrafi.

Duke folur me bashkë-prezantuesin Nicky Campbell pasi u zbulua, Ruben tha: “Ishte një surprizë e madhe. Nuk e prisja të më kërkonin”.

“Kur isha i ri, ndjenja ime ishte se ata më kishin braktisur kështu që unë nuk doja të kthehesha, thjesht doja të shikoja përpara”.

Ruben me gruan e tij Raquel

“Unë tani e di që unë kam lindur kur prindërit e mi ishin adoleshentë. Duket se ata nuk kishin para dhe duhej të më jepnin për birësim”.

Pasi i treguan situatën dhe mënyrën se si ai gjithmonë kërkohej, Ruben i emocionuar shtoi: “… ata thjesht kishin vështirësi dhe nuk u lejohej të më rritnin. Kjo më trishton. Unë dua t’i takoj ata dhe të zbuloj rrënjët e mia dhe të shoh se çfarë ndodh”.

Në skenat emocionale, të tre u ribashkuan në Irlandë dhe këmbëngulën se do të mbanin lidhje dhe do të njiheshin më shumë me njëri-tjetrin.

Ai shtoi: “Sot është një ditë e veçantë. Një histori e re fillon dhe shpresoj të jetë një histori e mirë”. /Telegrafi/

Exit mobile version