Franc V nga Munderfringu i Austrisë, ka shpjeguar një ngjarje të pazakontë që i ka ndodhur familjes së tij – tregon se si kamioni ua bëri shtëpinë në të cilën banonin rrafsh me tokë.
“Nëna dhe babai janë të dëshpëruar, dhe ende nuk po mund ta dinë se si kanë mbetur pa shtëpinë në të cilën jetuan për 62 vite”, ka shtuar Franc, transmeton Telegrafi.
Prindërit e tij Jakob, 83-vjeç dhe Mariana, 79, po pinin kafenë e mëngjesit gjatë të shtunës, kur një kamion u përplas në shtëpinë e tyre.
Muret janë rrënuar plotësisht, kurse nëpër dhoma gjësendet kanë fluturuar jashtë. Dyshemetë janë mbushur me libra dhe gota të thyera të mbuluara me rrënoja dhe pluhur. Por, është interesant se si kanë shpëtuar pa as lëndimin më të vogël.
Djali i tyre e quan mrekulli që babai i tij nuk ka qenë i ulur në kolltukun e tij të preferuar por në shtrat, pasi që sipas gjasave nuk do të mbijetonte.
Ndërkaq policia austriake ka njoftuar se treni që po lëvizte kishte goditur një kamion që po kalonte hekurudhën, dhe e kishte përplasur në shtëpinë e çiftit. /Telegrafi/