Telegrafi

Cicinho zbulon arsyen pse zgjodhi Real Madridin para Manchester Unitedit të Fergusonit

Ish-mbrojtësi i Real Madridit, Cicinho, ka kujtuar se kishte zgjedhur gjigantin spanjoll përpara Manchester United 16 vjet më parë.

Edhe pse ishte afër kalimit te Unitedi nga Sao Paulo, Cicinho përfundimisht nënshkroi me Real Madridin.

Tani pas plot 16 viteve, Cicinho ka shpjeguar pse zgjodhi Los Blancos dhe jo Djajtë e Kuq të Sir Alex Fergusonit.

“Sot bëhen 16 vjet nga ardhja ime në Real Madrid”, postoi ai në rrjetet sociale të martën mbrëma.

“Më falni Sir Alex Ferguson, por në vitin 2005, Roberto Carlos më thirri dhe më pyeti nëse doja të vija të luaja me të në ekipin Galacticos”.

“Pothuajse gjithçka ishte gati për mua të shkoja te Manchester United, por si mund t’i thosha ‘jo’ mundësisë për t’u bashkuar me Ronaldon, Roberto Carlos, Zidane, Figo, Beckham, Robinho, Raul, Julio Baptista, Casillas, Sergio Ramos dhe të tjerë”, përfundonte braziliani.

Pas Real Madridit, Cicinho u transferua te Roma ku vazhdoi të luante mirë, ndërsa më vonë pati rënie në karrierë duke ndryshuar shumë skuadra. /Telegrafi/