Site icon Telegrafi

Chrysta Bell do të performojë në “Lumbardh”

Përmes një njoftimit për media, “Lumbardhi” thotë se ka kënaqësinë të prezantojë paraqitjen e parë të këngëtares dhe kompozitores amerikane Chrysta Bell në Kosovë, në kuadër të turneut “Feels Like Love” dhe episodit të dytë të “Lumbardhi n’Behar”, këtë të premte në orën 21:00.

“Performuesja, këngëtarja dhe aktorja nga Austini i Teksasit, Chrysta Bell, e njohur gjerësisht për punën e saj bashkëpunuese me regjisorin David Lynch, përfshin elemente dinamike teatrale dhe kalon disa stile muzikore në përvoja të paharrueshme të performancës. Duke bashkëpunuar me Lynchin, Bell nuk ka prodhuar vetëm muzikë me regjisorin dhe producentin, por gjithashtu luajti edhe në ringjalljen e vitit 2017 të shfaqjes televizive ‘Twin Peaks’”, thuhet në njoftimin për media nga Lumbardhi në Prizren, përcjell Koha.net. “Me lansimin e albumit të saj ‘Feels Like Love’ më 5 prill, tingulli i saj i ri gjen artisten në një territor më të errët, me ndikime të new wave, post-punk dhe disko”.

Performancës së këngëve të albumit të fundit të Bellit, do t’i paraprijë Blerta Kosova e cila do të hapë mbrëmjen me muzikën e saj eksperimentale elektronike.

Biletat për koncertin mund të gjenden te Lumbardhi në Prizren, në Dit’ e Nat’ në Prishtinë dhe Radio Bar në Tiranë.

Exit mobile version