Elita e futbollit kosovar ka filluar javën e kaluar dhe qysh në xhiron e parë ka filluar shkëlqimin nigeriani Christian Mba.
Sulmuesi nigerian iu bashkua Trepçës ’89 në afatin kalimtar dimëror dhe ishte ndër lojtarët më të mirë dhe më meritorë për inkuadrimin e ‘Minatorëve’ në elitë.
Në xhiron e parë Trepça ’89 arriti të ndalë në barazim 2-2 Dritën dhe Mba padyshim ishte futbollisti më i mirë në këtë takim me dy gola fantastik të shënuar.
Mba ka folur në një intervistë për Telegrafin duke zbuluar aventurën e tij në Kosovë, debutimin në ALBI Superligë me dy gola si dhe të ardhmen e tij.
“Kam kaluar vetëm gjashtë muaj në futbollin kosovar dhe deri tani jam shumë i kënaqur”, tha fillimisht Mba për Telegrafin, duke treguar edhe emocionet që kishte në debutim në ALBI Superligë me dy gola ndaj Dritës.
“Ishte një ndjenjë e mahnitshme të shënoja golin tim të parë në Superligë në debutimin tim ndaj një ekipi të fortë dhe historik siç është Drita”, u shpreh Mba.
Tutje Mba tregon edhe objektivat që ka në aspektin personal dhe atë ekipor, duke thënë se synon që ta ndihmojë 89-shin të ruaj statusin e ekipit elitar në Kosovë.
“Objektivi personal është të shënoj gola në numër dyshifrorë. Dua të shënoj numër të golave dyshifror, por nuk mund të them numrin sakt sepse nuk dua t’i bëj presion vetës”.
“Sa i përket objektivit me klubin, qëllimi kryesor është ta ruajmë statusin e skuadrës elitare dhe pastaj të shikojmë se çfarë mundësish do të na vinë”, vazhdoi tutje Mba.
Në xhiron e parë Mba mori çmimin si lojtari më i mirë i javës në ALBI Superligë. “Për mua ai çmim është një motiv i madh të punoj më shumë”, vazhdoi tutje sulmuesi nigerian.
Xhiron e dytë ‘Minatorët’ do të luajnë në udhëtim te Llapi, derisa Mba thotë se kanë përballë një kundërshtarë të fortë, por që synojnë mos të mposhten.
“Llapi është një skuadër e fortë si Drita, por ju e dini në futboll asgjë nuk është e pamundur, ne do të shkojmë me mendjen për të marrë një pikë”, vazhdoi tutje Mba.
22-vjeçari kampionatin kosovar e sheh si një trampolinë për të arritur në të ardhmen të transferohet në ndonjë kampionat edhe më të fortë evropian.
“Kosova është një vend i mirë për të filluar karrierën time, e di se lojtarë si Vedat Muriqi filluan këtu dhe tani është në një klub të mirë evropian, kështu që unë jam shumë optimist që për disa vite nëse mbajë formën e qëndrueshme kjo gjë do të ndodhë”, deklaroi Mba. /Telegrafi/