Chrissy Teigen po flet më në detaje për humbjen tragjike të djalit të saj, Jack, pak muaj para lindjes.
Në një ese prekëse të postuar të martën, modelja dhe prezantuesja e famshme u hap rreth diagnostikimit, duke kujtuar momentin kur u shtrua në spital për shkak të gjakderdhjes së vazhdueshme.
Ajo fillimisht ndau lajmin e trishtuar të humbjes së foshnjës në Instagram më 30 shtator, duke postuar një seri fotografish tronditëse bardh e zi të saj dhe burrit John Legend në spital, me fëmijën e tyre në krah.
“Gjakderdhja ime po bëhej gjithnjë e më e rëndë. Në një pikë betohesha se kishte aq pak, sa mund të shtrihesha në shpinë dhe t’i ndieja krahët dhe këmbët e tij në barkun tim. Pas disa netëve në spital, mjeku më tha saktësisht atë që e dija që do të vinte – ishte koha për t’i thënë lamtumirë. Ai thjesht nuk do t’i mbijetonte kësaj sfide dhe nëse vazhdoja më gjatë, edhe unë nuk do të mbijetoja”, ka thënë ajo.
Më pas, Chrissy vazhdoi të rrëfente për momentin më të vështirë:
“Më thanë që do t’i jepja lamtumirën në mëngjes. Qava pak në fillim, pastaj shpërtheva në lot, mezi merrja frymë nga trishtimi i thellë. Edhe teksa shkruaj këtë, e ndiej dhimbjen sërish. M’u vendos oksigjeni në hundë dhe gojë dhe atje u realizua fotoja e parë që patë”.
E njëjta shkroi se i kërkoi John që ta fotografonin momentin, pa marrë parasysh sa i dhimbshëm ishte, sepse ata e dinin që fëmija nuk do të mbijetonte.
“I thashë John, i cili po hezitonte, se më duheshin ato foto pa qenë nevoja që t’i shpjegoja pse. Ai thjesht duhet t’i bënte. Ai e urreu këtë gjë. Mund ta them. Nuk kishte kuptim për të në atë moment. Por unë e dija që do të duhej ta kujtoja atë moment përgjithmonë, në të njëjtën mënyrë si do të kujtoja puthjen tonë të parë në fund të korridorit pasi lindi Luna dhe Miles. Dhe absolutisht e dija se kisha nevojë ta ndaja këtë histori”.
Modelja më tej flet për kritikët të cilët reaguan për publikimin e këtyre fotografive.
“Nuk e shpreh dot se sa pak më intereson fakti që ju i urreni fotot. Sa pak më intereson fakti që ju nuk do t’i kishit postuar. Unë e jetova, unë zgjodha t’i bëj dhe këto foto nuk janë për këdo, por për njerëzit që e kanë jetuar këtë përvojë ose janë mjaftueshëm kuriozë që të dinë për këtë gjë. Këto foto janë vetëm për njerëzit që kanë nevojë për to. Mendimet e të tjerëve nuk kanë rëndësi për mua”, shtoi ajo.
Teigen falënderoi të gjithë njerëzit që i kanë qëndruar pranë gjatë kësaj kohe.
“Shkova në një dyqan dhe zonja te arka më vendosi në heshtje lule në karrocën time. Pjesa më e keqe është fakti që ka shumë gra që nuk do të kenë mundësi të përjetojnë këto momente nga të panjohurit. Ju lutem, jini të sjellshëm me ata të cilëve u dhemb zemra”. /Telegrafi/