Disa orë pasi Will Smith i kërkoi falje Chris Rockut për shuplakën në “Oscars 2022”, ky i fundit bëri një reagim duke e krahasuar Smithin me ish-ekzekutivin e ‘Death Row Records’dhe aktualisht të burgosurin, Suge Knight.
“Të gjithë po përpiqen të jenë viktimë”, tha Rock, 57 vjeç, gjatë një koncerti në Atlanta’s Fox Theatre të premten mbrëma.
“Nëse të gjithë pretendojnë se janë viktimë, atëherë askush nuk do t’i dëgjojë viktimat e vërteta. Edhe mua duke u goditur nga Suge Smith… Shkova në punë të nesërmen, kam fëmijë”.
“Kushdo që thotë fjalë nuk është goditur kurrë me grusht në fytyrë”, shtoi Rock, sipas People.
Komediani i njohur aktualisht është duke bërë turne nëpër vende të ndryshme. Ai gjithashtu kishte folur për këtë temë edhe në raste të tjera si në New Jersey, New York etj.
“Unë do të të them, Chris, të kërkoj falje. Sjellja ime ishte e papranueshme dhe unë jam këtu sa herë që jeni gati për të biseduar”, tha Will në videon që shpërndau.
I njëjti gjithashtu i kërkoi falje nënës dhe vëllait të Rockut.
“Nuk po mendoja se sa njerëz u lënduan në atë moment. Dua t’i kërkoj falje nënës së Chris, familjes së Chris, veçanërisht vëllait të tij Tony Rock”.
Gjithçka nisi pasi Rock bëri shaka me kokën e rruar të gruas së Smith, Jada, pa qenë në dijeni se vuan nga një sëmundje. /Telegrafi/