Site icon Telegrafi

Chiellini: Ëndërrojmë prej tre vitesh këtë moment, Mancini madhështor – Anglia shumë cilësore

Giorgio Chiellini e pranon se ai mendonte se Roberto Mancini ishte ‘i çmendur’ kur foli për fitimin e Euro 2020 nga Italia, ndërsa shtoi se pret një finale të shkëlqyeshme ndaj një skuadre të fortë si Anglia.

Finalja e madhe mes Anglisë dhe Italisë pritet të zhvillohet të dielën në Wembley nga ora 21:00 dhe dy kombëtaret janë gati.

Italia vjen nga një seri e jashtëzakonshme prej 32 ndeshjeve pa humbje dhe kjo është një arritje e madhe për një skuadër që nuk arriti të kualifikohej në Kupën e Botës 2018, para se Mancini ta merrte detyrën.

Lexo po ashtu Kush është favorit për të fituar në Euro 2020? Italia apo Anglia?

“Është një ëndërr që ne e kultivuam për tre vjet dhe trajneri na e shpoi në kokë derisa u bë realitet”, ka thënë fillimisht Chiellini për RAI Sport.

“Kur ai na tha në fillim të mendonim për të fituar Euro 2020, ne menduam se ai ishte i çmendur, dhe megjithatë ne jemi pikërisht atje në prag dhe vetëm një centimetër larg trofeut”.

Të gjitha ekipet e Grupit të Vdekjes u eliminuan në 1/8-tën dhe Italia kishte një rrugë shumë më të vështirë për në finale, megjithëse jo aq sa e priste Chiellini.

“Ne menduam se do të përballeshim me Francën në vend të Spanjës në gjysmëfinale, pasi ata ishin favoritët e mëdhenj, ata kishin të gjithë cilësinë e nevojshme dhe përvojën ndërkombëtare. Mendova se Franca ishte një hap mbi pjesën tjetër, kështu që kisha supozuar se rruga jonë drejt finales do të ishte Belgjika, Franca dhe Anglia”.

“Unë menjëherë mendova se Anglia do të ishte një kandidate serioze për të fituar Euro 2020. Ata kanë cilësi dhe fizik, janë solid dhe të organizuar. Ata mund të mos jenë të lehtë për syrin, por janë të vështira për tu mposhtur”.

“Ata arritën në gjysmëfinale në Kupën e Botës, plus ishte e parashikueshme që Anglia do të ishte në finalen e Evropianit, pasi ata luajtën gjashtë nga shtatë ndeshje në terrenin vendas”.

Spanja i dha Italisë problemet më të mëdha në gjysmëfinale sepse ata luajtën pa një qendërsulmues, duke u përpjekur të mos linin asnjë pikë referimi për mbrojtjen e Azzurrëve, por Anglia e ka Kane si një figurë të qartë përpara.

Lexo po ashtu Bjorn Kuipers, do ta drejtojë ndeshjen finale Itali-Angli në Euro 2020

“Kane është një lojtar që më ka pëlqyer gjithmonë shumë. Mbaj mend një nga ndeshjet e tij të para në Torino dhe ai menjëherë më bëri një përshtypje të mirë. Ne kemi pasur fatin të luajmë kundër Tottenham, kështu që unë e njoh atë mirë”.

“Anglia nuk është vetëm Kane, pasi gjithashtu kanë lojtarë të jashtëzakonshëm që sulmojnë nga krahët. Vetëm stoli i tyre mund të fitojë Euron, pasi ata kishin Jack Grealish, Jadon Sancho, Marcus Rashford, Dominic Calvert-Leëin dhe Phil Foden”.

“Do të jetë një lojë e shkëlqyeshme e futbollit, asnjëra skuadër nuk do të ketë frikë dhe të dyja do të respektojmë njëri-tjetrin”, përfundoi italiani. /Telegrafi/


Exit mobile version